Lidhje

Varre të mundshme masive pranë Mariupolit, ndërsa Rusia sulmon në lindje të Ukrainës


Zyrtarët ukrainas thonë se pamjet satelitore nga një zonë pranë Mariupolit me grumbuj dheu, tregojnë se ka varreza të reja masive. Lufta nuk tregoi shenja zbutjeje të premten, pasi Rusia goditi objektiva në Ukrainën lindore në një ofensivë të re për të marrë qendrën industriale të vendit.

Maxar Technologies publikoi pamje të reja satelitore që tha se tregonin më shumë se 200 varre në një qytet pranë Mariupolit dhe zyrtarët lokalë akuzuan Rusinë se kishte varrosur mijëra civilë në ato varre.

Në Gjenevë, zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut tha se ka prova në rritje se Rusia ka kryer krime lufte në Ukrainë.

"Forcat e armatosura ruse kanë goditur me granata dhe bombarduar pa dallim zonat e populluara, duke vrarë civilë dhe duke shkatërruar spitale, shkolla dhe infrastrukturë tjetër civile, veprime që mund të përbëjnë krime lufte," tha Michelle Bachelet, Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

OKB-ja tha se duket se Ukraina ka përdorur gjithashtu armë pa diskriminim.

Në planin diplomatik, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel në një telefonatë të premten i kërkoi presidentit rus Vladimir Putin që të angazhohet drejtpërdrejt me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, dhe bëri thirrje për një armëpushim në Ukrainë, tha një zyrtar i BE-së.

Zoti Michel bëri thirrje gjithashtu për një armëpushim me rastin e Pashkëve Ortodokse dhe për një kalim të sigurt për civilët që kërkojnë të largohen nga qytetet e rrethuara si Mariupol.

Presidenti Putin reagoi duke thënë se do të zhvillonte bisedime të drejtpërdrejta me homologun Zelenskiy vetëm nëse diskutimet e vazhdueshme midis dy vendeve japin rezultate konkrete, siç njoftoi Kremlini të premten.

Ndërkohë kryeministri Boris Johnson tha po të premten se Britania planifikon të rihapë ambasadën e saj në kryeqytetin ukrainas të Kievit javën e ardhshme.

XS
SM
MD
LG