Ndërsa i dështuan planet për marrjen me shpejtësi nën kontroll të Ukrainës, Rusia ka emëruar një komandant të ri për të vazhduar sulmin në Ukrainën lindore. Zyrtarët amerikanë thonë se drejtuesi i ri ushtarak ka një historik brutaliteti ndaj civilëve në Siri dhe në zona të tjera lufte.
Zyrtarët amerikanë e identifikuan të dielën komandantin e ri ushtarak rus në Ukrainë: Gjeneralin Alexander Dvornikov, 60 vjeç, një ndër oficerët më me eksperiencë të ushtrisë ruse.
Zyrtarët amerikanë thonë se ai u dërgua në Siri në vitin 2015 për të mbështetur forcat e paefektshme të Presidentit sirian Bashar al-Assad dhe për të udhëhequr forcat e atjeshme ruse për gati një vit. Ai u shpall Hero i Federatës Ruse për rolin e tij në Siri dhe është aktualisht komandant i distriktit ushtarak në jug të Rusisë.
Nën komandën e tij në Siri, forcat ruse u akuzuan gjerësisht për bombardimin e lagjeve me civilë dhe spitaleve, në përpjekje për të ndalur rebelët që kërkonin largimin e Presidentit al-Assad.
Rami Abdulrahman, drejtues i Obzervatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë monitoruese me seli në Britani, u citua nga gazeta The New York Times të ketë thënë: "Bashar al-Assadi nuk është i vetmi që duhet mbajtur përgjegjës për vrasjet e civilëve në Siri - duhet mbajtur përgjegjës edhe gjenerali rus. Si komandant i operacioneve ushtarake, do të thotë se ai ka përgjegjësinë për vrasjen e civilëve sirianë nëpërmjet dhënies së urdhërave".
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare Jake Sullivan tha gjatë emisionit "State of the Union" të kanalit televiziv CNN se "mund të presim po të njëjtat gjëra" në Ukrainë nga Gjenerali Dvornikov.
Por, zoti Sullivan tha se "asnjë emërim gjeneralësh nuk mund të fshijë faktin se Rusia ka pësuar tashmë një dështim strategjik në Ukrainë", ku nuk arriti të marrë me shpejtësi nën kontroll vendin dhe të rrëzojë qeverinë e Presidentit Volodymyr Zelenskyy, pas fillimit të sulmit më 24 shkurt.
"Ky gjeneral do jetë thjesht një tjetër autor krimesh dhe brutaliteti ndaj civilëve ukrainas", tha zoti Sullivan. "Dhe Shtetet e Bashkuara, siç e kam thënë më parë, janë të vendosura për të bërë gjithçka të mundshme për të mbështetur ukrainasit që i rezistojnë atij dhe forcave që ai komandon".