Një shaka për aktoren Jada Pinket Smith, e cila vuan nga rënia e flokëve, dhe goditja që bashkëshorti i saj ndaj komedianit Chris Rock dominuan ceremoninë e dhënies së çmimeve Oscar këtë vit. Por, ky incident gjithashtu solli në vëmendjen e publikut edhe sëmundjen e alopecisë, e cila shkakton rënie të flokëve, dhe gratë të cilat janë të prekura nga kjo sëmundje.
Goditja që aktori Will Smith i dha në fytyrë komedianit Chris Rock në ceremoninë e dhënies së çmimeve Oscar shtangu botën. Will Smith reagoi me zëmërim ndaj shakasë sepse bashkëshortja e tij Jada Pinket Smith vuan nga alopecia, sëmundja që shkakton rënien e flokëve, për të cilën ajo ka folur hapur në vitet e fundit.
Jeffrey ElZenny është Drejtor i Zhvillimit të Biznesit në klinikën e flokëve “Bloomsbury” në Londër, e cila trajton gratë që vuajnë nga rënia e flokëve për shkak të kësaj sëmundjeje.
"Alopecia është një sëmundje e sistemit imunitar nga e cila mund të vuajnë gratë, burrat dhe fëmijët. Ndonjëherë ajo shkaktohet ose fillon nga stresi, dhe mund të shkaktohet edhe nga androgjenët. Për këtë sëmundje nuk ka ende kurë”, shpjegon ElZenny.
Dhjetë vjet më parë, Candy Cohen filloi të vuante nga disa probleme shëndetësore me mëlçinë, që shkaktuan simptoma të papritura.
"Rreth një muaj pasi vuajta me mëlçinë, filluan të më bienin flokët. Kur jeni në një gjendje jo të mirë shëndetësore nuk jeni të përqëndruar tek flokët. Isha e sëmurë, në shtrat dhe nuk mund të haja ushqim. Më vonë fillova të shihja disa njolla pa flokë në pjesën e pasme të kokës. Natyrisht, kjo ishte tronditëse për mua", thotë ajo.
Për disa njerëz, rënia e flokëve është e përkohshme.
Por në vitet pasuese, zonja Cohen u diagnostikua me sëmundjen e alopecisë universale, e cila shkakton rënie të flokëve në të gjithë trupin, përfshirë vetullat dhe qerpikët.
Kjo rënie e përhershme e flokëve ende ngjall emocione të forta për zonjën Cohen.
"Realiteti ishte se ato nuk po rriteshin, dhe kjo ishte e vështirë. Ishte vërtet e vështirë në fillim dhe vazhdon të jetë e vështirë."
Zonja Cohen thotë se kjo është e vështirë për një grua pasi në njëfarë mënyrë mungesa e flokëve është një humbje e identitetit dhe besimit për gratë. Megjithatë, ajo vendosi që mos ta lejonte këtë sëmundje që të kontrollonte jetën e saj.
Zonja Cohen gjeti një komunitet të gjerë të njerëzve të prekur me sëmundjen e alopecisë në internet. Ajo ka mbledhur gati 18 mijë njerëz në Instagram, ku flet hapur për diagnozën e saj dhe poston komente për paruket. Megjithatë, ajo shpesh ndeshet me komente të pahijshme të publikut.
"Në pushime, kur është shumë vapë, unë shpesh nuk e mbulohem me paruke. Njerëzit shpesh më shohin në mënyrë të pazakonshme dhe mendojnë se unë jam me kancer. Ka nga ata që më pyesin se çfarë lloji të kancerit kam ose se si po shkojnë trajtimet. Dhe kjo të kthenë kujtimet e rënda të së kaluarës”, thotë ajo.
Megjithatë, ajo ka aftësinë të duket mirë çdo ditë pasi në të kaluarën ajo ka punuar në një sallon bukurie. Zonja Cohen i ndanë aftësitë e saj me gra të tjera të cilat vuajnë nga sëmundja e alopecisë.
Jada Pinkett Smith, e cila vuan nga sëmundja e alopecisë, në vend të parukes ka vendosur të rruaj kokën.
Por, çfarë mendojnë ata që ofrojnë shërbime për personat që përballen me rënie të flokëve, kur humoristët bëjnë shaka me gratë si ajo?
"Shoqëria nuk e kupton dhimbjen që disa nga këto gra përjetojnë kur atyre u bien flokët. Ky është një proces i shpejtë. Mund të zgjasë diku nga tre javë deri në dy muaj dhe ju mund të humbni të gjitha qimet në trupin tuaj”, thotë Jeffrey ElZenny.