Lidhje

Will Smith jep dorëheqjen nga akademia amerikane e kinematografisë


Aktori, muzikanti dhe producenti amerikan Will Smith ka dhënë dorëheqjen nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Kinematografisë pas incidentit në ceremoninë e çmimeve Oscar ku ai goditi prezantuesin Chris Rock.

Smith tha në një deklaratë se pranon plotësisht të gjitha pasojat për sjelljen e tij. Ai gjithashtu pranoi se veprimet e tij në ceremoninë e çmimeve Oscar ishin "tronditëse, të dhimbshme dhe të pafalshme".

Në deklaratën e tij aktori tha gjithashtu se është i përkushtuar që të mos t’ia lejojë kurrë më vetes që dhuna të mposhtë arsyen.

Presidenti i akademisë së filmave, David Rubin tha se dorëheqja e zotit Smith u pranua, duke shtuar se akademia "do të vazhdojë të ecë përpara me procedime disiplinore kundër aktorit për shkelje të Standardeve të Sjelljes së Akademisë," përpara takimit të ardhshëm të bordit planifikuar për më 18 prill.

Me dorëheqjen e tij dy ditë pasi bordi i akademisë u mblodh për të nisur procedurat disiplinore, zoti Smith humbet privilegjet e votimit dhe privilegjet e tjera që lidhen me anëtarësimin.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të dielën, Smith u ngrit nga karrigia e tij në rreshtin e parë dhe u ngjit në skenë kur goditi prezantuesin Chris Rock pasi ai bëri një shaka për gruan e zotit Smith, Jada Pinkett Smith.

Menjëherë pas incidentit, Smith u shpall fitues i çmimit për aktorin më të mirë për rolin e tij në filmin “King Richard”.

XS
SM
MD
LG