Fituesi i çmimit Oscar për të aktorin më të mirë, Will Smith goditi me shuplakë në fytyrë prezantuesin e ceremonisë Chris Rock, pas një shakaje që ai bëri me stilin e flokëve të gruas së tij, një moment që tronditi miliona shikues në mbarë botën dhe la hije në historinë e ngjarjes së madhe kulturore.
Një shaka e prezantuesit të ceremonisë Oscars me gruan e aktorit Will Smith shkaktoi një moment tronditës në historinë e Akademisë së Çmimeve Oscars.
Gjatë prezantimit të fituesit të çmimit Oscar për dokumentarin më të mirë, komediani i njohur Chris Rock po tallej me të famshmit e ulur në rreshtin e parë të teatrit Dolby, ku po zhvillohej ceremonia.
Ai bëri shaka edhe me gruan e aktorit Will Smith, aktoren Jada Pinkett Smith.
Duke iu referuar flokëve të saj të qethur shkurt, ai tha se priste ta shikonte atë në një seri të dytë, të filmit të njohur të vitit 1997, G.I. Jane, ku aktorja Demi Moore luan rolin e një ushtarje, me kokë të qethur.
Pinkett Smith nuk e priti mirë shakanë dhe Chris Rock u mundua ta qetësojë atë me një shaka të dytë. Pak sekonda më vonë, Will Smith ngjitet në skenë dhe e godet me shuplakë në fytyrë prezantuesin Rock.
Pasi u kthye në vendin e tij, aktori Smith e shau dhe i tha kolegut të tij, që të mos e zinte kurrë në gojë emrin e gruas, ndërsa publiku ngeli i habitur.
Pas pak aktori Rock morri veten dhe vazhdoi prezantimin.
Jada Pinkett Smith vuan nga një sëmundje e sistemit imunitar që shkakton rënien e flokëve.
Will Smith kërkoi falje për reagimin e tij kur mori çmimin e Aktorit më të Mirë për rolin e tij në filmin “King Richard”, që i dedikohet babait të lojtareve të njohura të tenisit Venus dhe Serena Williams.