Lidhje

Ekspertët: Mercenarët rusë në Afrikë mund të dërgohen në Ukrainë


Rusia ka vite që dërgon mercenarë në vendet afrikane. Të dhënat e fundit tregojnë se disa nga ata ushtarë, të regjur në beteja, mund të dërgohen në Ukrainë për të marrë pjesë në sulmin rus kundër fqinjit të saj. Por çfarë nënkupton përfshirja e mercenarëve në Ukrainë?

Ndërsa Rusia vazhdon luftën në Ukrainë, disa vëzhgues po paralajmërojnë se forcat e saj mund të marrin mbështetje nga një burim i papritur, mercenarët e lidhur me Rusinë, të vendosur në Afrikë.

Për vite me radhë, “Wagner Group”, një organizatë private ushtarake me lidhje të ngushta me Kremlinin, ka operuar në vende të ndryshme afrikane, përfshirë Libinë, Mozambikun, Sudanin dhe Republikën Qendrore të Afrikës.

Ndërsa Presidenti Vladimir Putin kërkon muskuj për fushatën ushtarake në Ukrainë, thonë ekspertët, ai mund të urdhërojë që këta luftëtarë të veprojnë më afër Rusisë.

“Tërheqja e mercenarëve nga Republika e Afrikës Qendrore për në Ukrainë, do të thotë se ata kanë përvojë në fushën e betejës, janë të trajnuar mirë dhe pasi kanë qëndruar gjatë në Afrikë, ata janë më të dobishëm në Ukrainë”, thotë gazetari Philip Obaji.

Raportimet e gazetarit tregojnë se rreth 500 mercenarë kanë lënë Republikën e Afrikës Qendrore për të luftuar në Ukrainë.

Gazeta britanike “Daily Mail” njofton se disa nga luftëtarët janë pjesë e një skuadre zjarri për të kryer atentate ndaj zyrtarëve ukrainas, përfshirë presidentin.

Rrjeti CNN njofton se Rusia planifikon të dislokojë në Ukrainë 1,000 mercenarë, sipas një burimi amerikan. Zyrtari i tha rrjetit CNN se mercenarët rusë që ndodhen brenda Ukrainës nuk kanë patur rezultate të mira, me rreth 200 prej tyre të vrarë në luftime.

Por gazetari Obaji thotë për Zërin e Amerikës se luftëtarët nga Afrika janë ende të vlefshëm për shkak të përvojës së tyre.

“Këta mercenarë kanë qenë shumë aktivë. Shumë prej luftëtarëve të dërguar nga Republika e Afrikës Qendrore, më parë kanë vepruar në Libi dhe Siri. Janë njerëz që kanë marrë pjesë në luftime”, thotë gazetari Philip Obaji.

Grupi Wagner ka një histori akuzash për vrasje pa gjyq, përdhunime dhe abuzime të tjera në Afrikë.

Ndonëse nuk i përshtaten luftës konvencionale në Ukrainë, mercenarët mund të ngarkohen me objektiva të tjera që Rusia nuk dëshiron të kenë lidhje me forcat e rregullta, thonë disa ekspertë.

Zëri i Amerikës bisedoi me analistin Jack Margolin të Qendrës për Studime të Avancuara të Mrojtjes.

“Grupi Wagner është një zgjidhje e shkëlqyer për ndërhyrje të huaj me kosto të ulët. Ndërhyrja ruse në Ukrainë nuk ka një kosto të ulët dhe mercenarët janë më të dobishëm në Afrikë. Por ushtarët e Grupit Wagner, që kanë eksperiencë nga luftërat e tjera dhe partnerët lokalë, është pikërisht kjo që ne presim t’u kërkohet atyre të bëjnë në Ukrainë. Pra të punojnë për të përforcuar forcat lokale pro-ruse. Të veprojnë përkrah tyre dhe të përmirësojnë aftësitë e tyre, si dhe të ofrojnë një far lloj komande dhe kontrolli, por jo mbajtje përgjegjësie.”

Pavarësisht nëse dërgohen, apo jo në Ukrainë, forcat e Grupit Wagner vazhdojnë të përbëjnë kërcënim për vendet afrikane. Gjenerali Stephen Townsend, me Komandën Amerikane në Afrikë, bisedoi me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.

“Kemi parë Grupin Wagner, këtë ushtri mercenare, duke punuar në kontinentin afrikan. Ata kanë vepruar në Republikën Qendrore Afrikane, Sudan dhe Libi. Ata nuk zbatojnë rregullat e askujt, por të tyret. Ata bëjnë vetë ligjin dhe e shkelin atë. Ata kryejnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Ata vrasin të pafajshëm dhe civilë.”

Gjenerali Townsend thotë se shkuarja e mercenarëve të Grupit Wagner në një vend i bën ato më pak të qëndrueshme. Ata kërkojnë të përfitojnë ekonomikisht duke shfrytëzuar burimet natyrore dhe refuzojnë të largohen kur u kërkohet.

Pavarësisht mjegullës së luftës, analistët thonë se do të vëzhgojnë nga afër për çdo shenjë të aktivitetit mercenar në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG