Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj pronarit të ekipit anglez të futbollit, Chelsea, Roman Abramovich, si pjesë e një pakete të re masash që synojnë Rusinë.
BE-ja e përfshiu oligarkun rus në listën e saj të përditësuar të individëve që përballen me ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e udhëtimit për rolin e tyre në agresionin rus ndaj Ukrainës.
55-vjeçari Abramovich ishte ndëshkuar tashmë në Britani nga administrata e kryeministrit Boris Johnson javën e kaluar. Manjati i aluminit ishte në mesin e shtatë rusëve të pasur të cilëve Britania u ka bllokuar pasuritë në përgjigje të sulmit rus ndaj Ukrainës. Abramovich është pezulluar edhe nga posti i drejtorit të ekipit të ligës së futbollit anglez, Chelsea.
Bashkimi Evropian tha se Abramovich “ka patur qasje të privilegjuar tek presidenti (rus) dhe ka mbajtur marrëdhënie shumë të mira me të. Kjo lidhje me udhëheqësin rus e ndihmoi atë të ruante pasurinë e tij të konsiderueshme”.