Lidhje

Rusët kalojnë kufirin me Meksikën për të kërkuar azil në Shtetet e Bashkuara


Më shumë se 8.600 rusë kanë kaluar kufirin me Meksikën dhe kanë kërkuar azil në Shtetet e Bashkuara gjatë muajve të fundit. 90 për qind e tyre kanë përdorur pikat e kalimit kufitar në San Diego. Shumë prej tyre fluturojnë nga Moska në Cancun, duke u futur në Meksikë si turistë. Më pas ata shkojnë në Tijuana, qytetin kufitar mes Meksikës dhe pjesës jugore të Kalifornisë.

Pasi kanë arritur në Meksikë si turistë, rusët shkojnë në Tijuana dhe marrin me qera ose blejnë makina për të udhëtuar drejt kufirit me Shtetet e Bashkuara.

“Pretenduam se po shkonim për pushime në Meksikë dhe udhëtuam me aeroplan për në Tijuana”, thotë Maksim Derzhko, i cili po kërkon strehim në Shtetet e Bashkuara.

Ai tregon se rrugëtimi ishte një nga përvojat më të frikshme të jetës së tij. Një kundërshtar i hershëm i Presidentit Vladimir Putin, ai së bashku me vajzën e tij 14-vjeçare udhëtuan me aeroplan nga qyteti rus i Vladivostokut drejt qytetit kufitar meksikan Tijuana.

Yuliya Pashkova, avokate imigracioni, thotë se është relativisht e lehtë shkuarja në Meksikë si turist.

“Është e lehtë të shkosh në Meksikë si turist dhe më pas ata blejnë ose marrin me qera një makinë që nuk kushton shumë dhe përpiqen të kalojnë kufirin drejt Amerikës.”

Maksim Derzhko thotë se udhëtoi me makinë me shtatë rusë të tjerë. Por qëndrimi skeptik i një punonjësi amerikan në pikën kufitare ishte pengesa e vetme për t’u futur në territorin amerikan.

“Nga ana emocionale është e vështirë të shprehësh ato që ndjen. Është droja dhe e paditura. Është e vështirë dhe nuk kishim zgjidhje tjetër.

Pas ndalimit për një ditë në një qendër paraburgimi, autoritetet amerikane e liruan atë duke u thënë se ishte i sigurtë dhe mund të kërkonte azil me vajzën e tij dhe mijëra rusë, që kanë ndërmarrë të njëjtën rrugë drejt Amerikës.

Që nga muaji gusht deri në janar, më shumë se 8.600 rusë kanë kërkuar strehim në Shtetet e Bashkuara në kufirin me Meksikën. 90 për qind e tyre kanë përdorur pikën e kalimit kufitar në San Diego.

Një numër më i vogël migrantësh nga ish-republikat e tjera sovjetike përdorin të njëjtën rrugë. Autoritetet parashikojnë ardhjen e më shumë ukrainasve pas sulmit rus ndaj vendit të tyre.

Rreth 30 mijë makina në ditë futen në Shtetet e Bashkuara përmes pikës së kalimi kufitar San Ysidro në San Diego.

Në bazë të një traktati ndërkombëtar, nëse migrantët arrijnë në zonën mes dy pikave doganore, ata mund të kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara.

“Ishte një vendim shumë i vështirë për mua. Jam përpjekur të shoh një të ardhmen në Rusi deri në momentin e fundit. Gjithnjë kam marrë pjesë në protesta dhe kam mbështetur Alexei Navalny-n”, thotë azil-kërkuesi rus Maksim Derzhko.

Avokatja e imigracionit, Yulia Pasjkova, thotë se azil-kërkuesit janë kryesisht kundërshtarë të Putinit.

“Kryesisht ata janë disidentë dhe kundërshtojnë qeverinë e Putinit dhe politikat e tyre. Në mënyrë tipike, ata mbërrijnë në Meksikë”.

Rusët shkëmbejnë këshilla përmes rrjeteve sociale. Në një rast, një burrë rrëfeu në rrjet udhëtimin e tij nga Sheshi i Kuq i Moskës deri në një hotel në San Diego, duke sqaruar ndalesat në qytet meksikane Cancun dhe Mexico City.

XS
SM
MD
LG