Lidhje

Ukrainë, goditet baza ushtarake pak kilometra larg Polonisë


Smoke rises amid damaged buildings following an attack on the Yavoriv military base, as Russia's invasion of Ukraine continues, in Yavoriv, Lviv Oblast, Ukraine, March 13, 2022 in this picture obtained from social media. (@BackAndAlive/via Reuters)
Smoke rises amid damaged buildings following an attack on the Yavoriv military base, as Russia's invasion of Ukraine continues, in Yavoriv, Lviv Oblast, Ukraine, March 13, 2022 in this picture obtained from social media. (@BackAndAlive/via Reuters)

Zgjerimi i sulmeve të Rusisë ndaj objektivave të reja në Ukrainë pranë kufirit polak pasqyron zhgënjimin e saj në rritje lidhur me ritmet e sulmit, tha të dielën për rrjetin televiziv CNN këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan.

Komentet e tij pasojnë sulmin e forcave ruse ndaj një baze ushtarake në Ukrainë, e cila ndodhet shumë pranë kufirit me Poloninë. Zyrtarët ukrainas thonë se të paktën 35 persona u vranë dhe 134 u plagosën të dielën herët në mëngjes pasi Moska lëshoi rreth 30 raketa kruz ndaj Qendrës Ndërkombëtare për Ruajtjen e Paqes dhe Sigurisë, një bazë ushtarake në Ukrainën perëndimore. Trupat e NATO-s në Poloni ndodhen 25 kilometra larg saj. Baza ushtarake, jo shumë larg Lvivit, është vendi ku njësitë e NATO-s janë stërvitur me trupat ukrainase dhe ku instruktorët ushtarakë perëndimorë kryejnë stërvitje.

Zoti Sullivan tha se Uashingtoni nuk ka plane për të angazhuar forcat e tij ushtarake në Ukrainë, por shtoi se Shtetet e Bashkuara do të mbronin çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s, duke rritur ndihmën për Ukrainën, duke përfshirë sigurimin e armëve kundërajrore.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj do të vazhdojnë të rrisin trysninë ndaj Rusisë dhe paralajmëroi se çdo lëvizje e Kinës ose e ndonjë vendi tjetër për t'i siguruar Rusisë një rrugë shpëtimi ose për ta ndihmuar ata t'i shmanget sanksioneve perëndimore do të rezultonte pamëdyshje me pasoja për ta.

Ndërkaq ushtria ruse vijon të sulmojë qytete në të gjithë Ukrainën me artileri dhe sulme ajrore.

Një ditë më parë, një diplomat i lartë rus tha se Moska kishte paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se i konsideronte dërgesat e huaja të pajisjeve ushtarake në Ukrainë objektiva 'legjitime për t'u goditur' nga ana a saj.

Polonia është një vend kyç për dërgimin e ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën.

Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi të shtunën një ndihmë shtesë për Ukrainën deri në 200 milionë dollarë në armatime.

Sulmi vjen një ditë pasi Rusia bombardoi qytete anembanë Ukrainës, duke goditur Mariupolin në jug, zonat në periferi të Kievit dhe duke u mos lejuar popullatën civile të largohet.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy akuzoi gjithashtu Rusinë se po përpiqet të krijojë "pseudo-republika" të reja për të copëtuar vendin e tij. Ai u bëri thirrje rajoneve të Ukrainës që të mos përsërisin përvojën e dy zonave lindore ku separatistët pro-rusë nisën të luftojnë kundër forcave ukrainase në vitin 2014.

Shtatë civilë, përfshirë një fëmijë, u vranë të shtunën në një korridor të humanitar pasi trupat ruse goditën një autokolonë me njerëz, duke i detyruar civilët të ktheheshin, tha Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës.

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës Iryna Vereshchuk tha se vetëm nëntë nga 14 korridoret humanitare ishin të hapura të shtunën. Ajo shtoi se rreth 13,000 njerëz janë evakuuar përgjatë rrugëve për të cilat ishte rënë dakord të shërbenin si korridore të sigurta për civilët.

Gjithashtu të shtunën, një sulm me raketë rus shkatërroi një bazë ajrore ukrainase në qytetin Vasylkiv, sipas kryebashkiakes Natalia Balasynovych, e cila shtoi se ishte shkatërruar gjithashtu edhe një depo nafte.

XS
SM
MD
LG