Presidenti amerikan Joe Biden dhe udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë rikonfirmuan në një videokonferencë të hënën vendosmërinë e tyre për të vazhduar të marrin masa ndaj Rusisë në përgjigje të agresionit të saj "të paprovokuar dhe të pajustifikuar kundër Ukrainës", tha Shtëpia e Bardhë.
Presidenti Biden, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri britanik Boris Johnson "theksuan angazhimin e tyre për të vazhduar të ofrojnë ndihmë sigurie, ekonomike dhe humanitare për Ukrainën," tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.
Vendet e NATO-s kanë rritur praninë e tyre në vendet baltike që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës më 24 shkurt. Vendet perëndimore kanë thënë se do të dërgojnë edhe trupa dhe paisje të tjera.
Pas fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës, Shtëpia e Bardhë vendosi sanksione mbi eksportet e teknologjive në rafineritë ruse dhe gazsjellësin “Nord Stream 2”, që nuk u vu kurrë në funksionim. Deri tani, administrata amerikane nuk ka vënë në shënjestër eksportet e naftës dhe gazit të Rusisë, ndërsa peshon ndikimin që do të kishte një gjë e tillë në tregjet globale të naftës dhe tek çmimet e energjisë në Shtetet e Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara dhe partnerët evropianë po shqyrtojnë mundësinë e ndalimit të importeve të naftës ruse, tha të dielën Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, por ai theksoi rëndësinë e furnizimeve të qëndrueshme të naftës në mbarë botën.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha të hënën se Presidenti Biden nuk ka marrë një vendim për ndalimin e importeve të naftës ruse.
Ajo u tha gazetarëve se po vazhdojnë diskutimet për këtë çështje, ndërsa zyrtarët shqyrtojnë opsionet për të ndëshkuar Rusinë.
Çmimet e naftës janë rritur gjatë javës së kaluar pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre sanksionuan Rusinë pas ndërhyrjes në Ukrainë.