Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara votoi dielën për mbajtjen e një seance urgjente të hënën për sulmin e paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës. Votimi vë në pah pretendimet e Shtëpisë së Bardhë për unitetin e komunitetit ndërkombëtar në mbështetje të Ukrainës dhe vjen përpara fjalimit të Presidentit amerikan Joe Biden mbi gjendjen në vend të martën.
Ukraina vazhdon të jetë në qendër të një sulmi të paprovokuar nga forcat ruse që po avancojnë drejt kryeqytetit të vendit, Kiev.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë kanë shtuar sanksionet ditët e fundit kundër infrastrukturës financiare të Rusisë, duke vënë në shënjestër dy bankat më të mëdha të vendit VTB dhe Sberbank, që përbëjnë gjysmën e sistemit bankar të vendit.
“Sanksionet e fundit ndaj Rusisë janë në të njëjtin nivel me ato që kemi vendosur ndaj Iranit, duke e përjashtuar atë nga sistemi bankar i komunitetin global. Tani kemi vënë sanksione ndaj 80 për qind të bankave dhe sektorit të tyre financiar. Kjo e bën shumë të vështirë për Presidentin Putin dhe qeverinë ruse, jo vetëm të bëjnë biznes, por edhe të ndihmojnë në financimin e një zgjerimi më të madh të ushtrisë së tyre dhe një zgjerimi më të madh të novacionit në vendin e tyre”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti rus Vladimir Putin, i cili urdhëroi fillimin e sulmit ndaj Ukrainës të enjten, i dënoi sanksionet dhe urdhëroi "vendosjen në gjendje gatishmërie të lartë të forcave bërthamore", duke sinjalizuar një përgatitje për lëshimin e tyre.
“Kjo është një luftë e plotë, e padrejtë dhe mendoj se është koha që shumë biznese amerikane të shqyrtojnë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Si ish-ministre e financave, e di që kjo është e vështirë, por mendoj se është koha të mendojnë për të shpëtuar reputacionin dhe për të mos bashkëpunuar me një regjim që do të përfundojë në Hagë për të gjitha gjërat që ka bërë dhe po bënë tani në Ukrainë”, tha ambasadorja e Ukrainës në SHBA, Oksana Markarova.
Kjo pason rezistencën e forcave ukrainase, shumë prej të cilëve ishin civilë javën e kaluar, para se të fillonte lufta të ejten, ndaj përpjekjeve të forcave ruse për të marrë nën kontroll kryeqytetin dhe qytete të tjera të mëdha të vendit. Ministria ukrainase e Mbrojtjes publikoi një video të pa verifikuar, që pretendon se tregon se si një sulm me dron shkatërroi një autokolonë ushtarake ruse. Megjithatë, thirrjet për rritjen e presionit ndaj Rusisë po vazhdojnë.
“Ka ardhur koha për të hequr të gjitha institucionet financiare ruse nga sistemi ndërkombëtar i pagesave dhe të vendosim sanksione ndaj eksporteve ruse të naftës dhe gazit natyror, të cilat Putini i përdor si mjetin kryesor të mbështetjes financiare. Ne duhet të nxitojmë në dërgimin e armatimeve, që tashmë i kemi njoftuar, në frontin e luftës, përfshirë raketa antitank dhe kundërajrore, snajperë, municione, furnizime me karburant. Kjo duhet të ishte bërë para disa javësh, por më mirë vonë se kurrë. Ukrainasit nuk kanë kohë për të pritur”, tha senatori republikan Tom Cotton.
Në mbarë botën po mbahen protesta në mbështetje të Ukrainës, në të cilat po bëhet thirrje për paqe. Një protestë e ngjashme u mbajt edhe në Uashington. Presidenti amerikan Joe Biden do të mbajë fjalimin mbi gjendjen e vendit të martën në një seancë të përbashkët të Kongresit, ku pritet të flasë për Ukrainën.