Lidhje

8 vjetori i revolucionit në Ukrainë, aktivistët përgatiten për një luftë të re


Kiev
Kiev

Tetë vjet pas kryengritjes në Ukrainë që çoi në rënien e qeverisë së mbështetur nga Rusia, aktivistët në Kiev u mblodhën për të përkujtuar fitoren dhe ata që humbën jetën, duke thënë se tani po përgatiten për atë që mund të jetë beteja e ardhshme e madhe e vendit të tyre.

8 vjetori i revolucionit në Ukrainë, aktivistët përgatiten për një luftë të re
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:26 0:00

Në vitet 2013 dhe 2014, protestuesit u mblodhën për disa muaj përpara fillimit të një shtypjeje që shkaktoi vdekjen e mbi 100 njerëzve dhe rënien e qeverisë së atëhershme të mbështetur nga Rusia.

Tetë vjet më vonë, rrugët e Kievit janë të qeta, pavarësisht kërcënimit nga një pushtim rus.

Në një ceremoni përkujtimore në një muzeum në Kiev, "Revolucioni i Dinjitetit" ose "Revolucioni Maidan", u vlerësua nga aktivistët si një sakrificë e rëndësishme.

“Pas “Revolucionit të Dinjitetit” u formua një shoqëri civile aktive. Të drejtat tona tani mbrohen me ligj. Askush nuk të arreston më për shprehjen e mendimit”, thotë aktivisti Ihor A. Kozlovskyi.

Në një memorial pranë zonës ku u goditën protestuesit në vitin 2014, banorët thonë se tensionet kufitare dhe përleshjet sporadike kanë qenë prej kohësh një kërcënim për vendin. Por me forcat ruse që tani rrethojnë Ukrainën dhe dhunën në rritje ditët e fundit, njerëzit këtu kanë frikë se një sulm rus është i afërt.

“Jemi përshtatur me frikën sepse nuk mund të jetohet në terror. Jemi mësuar me situatën. Por së fundmi pati një sulm në një kopsht fëmijësh, unë kam një djalë në atë moshë dhe tani ndjej frikë”, thotë Kate Ilchuck, banore e Kievit.

Rusia ka thënë se po tërheq trupat nga zona kufitare, por ministria e jashtme ruse tha gjithashtu të enjten se Moska është e përgatitur për "masa të natyrës ushtarako-teknike".

Udhëheqësit perëndimorë e kanë akuzuar Rusinë se po gënjen në lidhje me tërheqjen e trupave dhe se po përgatitet për të sulmuar Ukrainën.

Rusia ka kërkuar vazhdimisht nga NATO-ja garanci ligjore për mospranimin e Ukrainës në aleancë. Udhëheqësit e NATO-s e kanë hedhur poshtë këtë kërkesë.

Ndërkohë, një valë patriotizmi është e dukshme në rrugët e Kievit. Disa banorë thonë se po përgatiten për atë që analistët thonë se mund të bëhet konflikti më i rrezikshëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

"Gjithçka është e mundur. Tani ata po përgatisin veprime kundër nesh, por ne jemi gjithashtu më të përgatitur se në vitin 2014", thotë Valerii Ilchuk, banor i Kievit.

Zoti Ilchuk thotë se ai mori pjesë në revolucionin e vitit 2014 dhe ishte krenar për rezistencën e protestuesve. Por, ai thotë se nëse Ukraina sulmohet nga Rusia, rezistenca ndaj kësaj superfuqie nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë pa mbështetjen ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG