Policia izraelite po akuzohet se ka përdorur programin Pegasus të kompanisë izraelite NSO Group për të survejuar shtetas izraelitë. Kjo kompani u kritikua më parë në skenën ndërkombëtare pasi dolën akuza se qeveritë autoritare e përdorën programin Pegasus për të përgjuar kundërshtarët, ndër ta edhe diplomatë dhe gazetarë. Shtetet e Bashkuara vendosën rishtazi sanksione ndaj kësaj kompanie, pasi programi i përgjimit u gjet në telefonat e zyrtarëve të Departamentit të Shtetit në Afrikë. Siç njoftojnë nga Jeruzalemi korrespondentët e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein dhe Ricki Rosen, njoftimet se teknologjia e kompanisë NSO po përdorej brenda territorit të Izraelit po trondisin vendin.
Policia izraelite përdori programin Pegasus të kompanisë NSO Group për të përgjuar shtetas izraelitë nëpërmjet celularëve të tyre, njoftoi gazeta izraelite "Calcalist". Ndër objektivat mendohet se kanë qenë disa kryebashkiakë dhe protestues që kundërshtonin ish-Kryeministrin Benjamin Netanyahu.
"Akuzat thonë se programi u përdor pa patur (paraprakisht) ndonjë dyshim. Pra, u përdor ndaj shtetasve të pafajshëm, thjesht për të qenë në dijeni në rast se do të bëhej ndonjë shkelje. Pra, kjo është shumë e rëndë. Rasti i kompanisë NSO është një shkelje dramatike e të drejtës së privatësisë", i tha Zërit të Amerikës Dana Yaffe, nga departamenti për të drejtat e njeriut në Universitetin Hebraik.
Ministri i Sigurisë së Brendshme të Izraelit, Omer Barlev, mohoi që policia të ketë përgjuar telefonat e protestuesve dhe urdhëroi fillimin e një hetimi.
"Nuk pati asnjë përdorim, e përsëris, asnjë përdorim të programit të kompanisë NSO apo të ndonjë programi tjetër për të ndjekur, përgjuar apo survejuar telefonin e ndonjë protestuesi", tha Ministri Barlev.
Analistët izraelitë thonë se policia nuk duhet të lejohet të hetojë vetveten, dhe se duhet të ushtrohet mbikqyrje legjislative për të parandaluar që përgjimi i nënshtetasve të ndodhë sërish.
"Teknologjitë e zbulimit që çelin hapësira shumë shumë të mëdha survejimi nuk duhet të përdoren ndaj civilëve nga agjensitë e zbatimit të ligjit. Ekziston një nevojë e madhe për një legjislacion të përditësuar për survejimin dixhital në Izrael, si dhe për një ligj të përditësuar për privatësinë në Izrael", i tha Zërit të Amerikës, Tehilla Shwartz Altshuler, nga Instituti i Demokracisë së Izraelit.
Kompania NSO tha fillimisht se teknologjia e saj nuk mund të përdoret në Izrael apo në Bregun Perëndimor. Por, organizatat palestineze të të drejtave të njeriut në Bregun Perëndimor thonë se programi u përdor për t'i përgjuar, pasi Izraeli pretendoi se ishin grupe terroriste.
"Si një ndër institucionet që u vendosën në objektiv, ne shprehim shqetësimin tonë për ekzistencën e një lidhjeje mes procesit të spiunazhit ndaj institucioneve dhe shpalljes si organizata terroriste të gjashtë institucioneve palestineze nga autoritetet pushtuese (izraelite)", tha Tahseen Alyyan, nga Fondacioni Al-Haq.
Kompania NSO ishte duke u përballur paraprakisht me kritika të gjera ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur sanksione kësaj kompanie dhe mundësinë e sanksioneve po e shqyrton edhe Bashkimi Evropian.
"Izraelitët mendoj se kanë filluar ta kuptojnë që nëse një teknologji e caktuar prodhohet në Izrael dhe u shitet diktatorëve në Afrikë apo vendeve të tjera, si dhe përdoret në territoret (palestineze) - rrjedhimisht do të përdoret edhe ndaj shtetasve izraelitë", thotë zonja Altshuler.
Megjithëse shumica e izraelitëve nuk protestuan për përdorimin në vende të tjera të teknologjisë së survejimit të kompanisë NSO, ata thonë se janë tepër të zemëruar që një mjet zbulimi i prodhuar në Izrael po përdoret kundër vetë shtetasve të tij.