Situata në qytetin mbi 350 vjeçar Kharkiv duket e tensionuar. Vetëm 40 kilometra larg kufirit ku Rusia ka stacionuar mijëra trupa dhe makineri të rënda ushtarake, qyteti është i ndarë mes atyre që dalin vullnetarë për t’i rezistuar ofensivës ruse dhe atyre që thjesht duan të jetojnë jetët e tyre në paqe.
Nëse Rusia sulmon, shumë nga rreth 1 milion banorët e Kharkiv-it thonë se do të jenë të gatshëm të mbrojnë qytetin e tyre kundër një prej fuqive më të mëdha ushtarake në botë.
Klinika e dentisit Oleksandr Dikalo, në katin e parë të një pallati 16-katësh, është caktuar si vend strehim për disa qindra banorë në rast lufte. Mjeku Dikalo di të përdorë armët. Ai ka shërbyer në ushtrinë sovjetike dhe ka qënë i stacionuar në Gjermaninë Lindore. Bashkëshortja e tij është mjeke në spitalin e urgjencës dhe kujdeset rregullisht për ushtarët ukrainas të plagosur në front.
"Gjithçka varet nga ne, banorët e Kharkiv-it. Nuk mund të lejojmë që qyteti ynë të përfundojë si Donetsk-u. Banorët atje, e lanë qytetin të pushtohej. Ndaj ne këtu nuk duhet ta dorëzojmë qytetin. Ne duhet ta mbrojmë in”, thotë denti sti Oleksandr Dikalo.
Për shkak të moshës, 60-vjeçari nuk i plotëson kushtet për t’u bashkuar me njësitë e mbrojtjes civile që po formohen në të gjithë vendin, por ai është gati të veprojë për të parandaluar rënien e Kharkiv-it.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha së fundmi se çdo përshkallëzim mund të varet nga qyteti Kharkiv. Qyteti është gjithashtu baza e politikanit dhe pronarit të medias, Yevheniy Murayev, i identifikuar nga inteligjenca britanike si personi që Kremlini po konsideronte ta instalonte si president.
Kur ishte vetëm 18 vjeç Anton Dotsenko ishte i përfshirë në valën e protestave që rrëzuan qeverinë pro-ruse në vitin 2014. Tani, punonjës në sektorin e teknologjisë, 24-vjeçari thotë se vendi i tij ka përjetuar trazira të shumta dhe dëshira e tij është që të mos ketë viktima.
Një grup të rinjsh patriotë është i gatshëm të mbrojë qytetin Kharkiv, pa marrë parasysh koston. Çdo javë ata stërviten në një kantier t ë braktisur ndërtimi.
“Kharkovi është shtëpia ime, është qyteti më i rëndësishëm për mua për t'u mbrojtur. Është vija e parë e fronit, ka rëndësi ekonomike dhe strategjike”, thotë një prej të rinjve që po stërviten për të mbrojtur qytetin në rast lufte.
Të njëjtën ide ndajnë edhe ukrainasit e tjerë, që nga kryeqyteti Kiev e deri në perëndimin e largët, në Lviv. Rusia mohon të ketë plane për një ofensivë, por ajo kërkon premtime nga NATO-ja për të mbajtur Ukrainën jashtë aleancës dhe mes të tjerash për të tërhequr forcat e saj nga Evropa Lindore. Brukseli dhe Uashingtoni i kanë hedhur poshtë kërkesat e Moskës.