Lidhje

Rriten ndjenjat pro-ruse pas puçit ushtarak në Burkina Faso


Njerëzit mblidhen në mbështetje të një grushti shteti që rrëzoi Presidentin Roch Kabore, shpërndau qeverinë, pezulloi kushtetutën dhe mbylli kufijtë në Burkina Faso, Ouagadougou, 25 janar 2022.
Njerëzit mblidhen në mbështetje të një grushti shteti që rrëzoi Presidentin Roch Kabore, shpërndau qeverinë, pezulloi kushtetutën dhe mbylli kufijtë në Burkina Faso, Ouagadougou, 25 janar 2022.

Disa mbështetës të grushtit të shtetit në Burkina Faso këtë javë u panë duke festuar me flamuj rusë dhe duke bërë thirrje që vendi i tyre të prishte aleancën me Francën dhe të bashkohej me Moskën. Ndërsa shtrirja e ndjenjave pro-ruse në Burkina Faso është e paqartë, nuk ka dyshim se një numër i madh banorësh nuk kanë besim tek përpjekjet franceze për të ndihmuar vendin në luftimin e bandave dhe grupeve militante islamike.

Në marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit të Burkina Fasos, Ouagadougout muajin e kaluar, disa protestues valëvisnin flamuj rus, ndërsa festonin puçin ushtarak të një dite më parë.

“Jo, ne nuk e duam më Francën. Ne jemi këtu sepse duam mbrojtjen e Rusisë. Franca nuk ka bërë asgjë për të na bërë të suksesshëm”, tha një protestues për Zërin e Amerikës.

Franca i ka dhënë ndihmë ushtarake Burkina Fasos gjatë konfliktit të saj gjashtëvjeçar me grupet e armatosura të lidhura me Shtetin Islamik dhe Al-Kaidën.

Në fillim të janarit, udhëheqësi i Malit fqinj, koloneli Assimi Goita, mirëpriti mercenarë të kompanisë private ruse të sigurisë, Wagner, e cila ka lidhje të ngushta me Kremlinin.

Mercenarët morën një bazë ushtarake në Timbuktu që u lirua nga trupat franceze në dhjetor.

Protestuesit në Burkina Faso mbanin fotografi të kolonelit Goita në protestat e zhvilluara në fund të janarit për të shprehur solidaritet me Malin. Policia i shpërndau me forcë dhe gaz lotsjellës protestuesit.

Analistët thonë se në muajt e fundit, ka patur një ndjenjë në rritje anti-franceze dhe një orientim drejt Rusisë.

Analistët thonë se Mali po përdor përfshirjen ruse si një mjet pazaresh pasi blloku i Afrikës Perëndimore ECOWAS vendosi sanksione ndaj vendit për refuzim të thirrjeve për të mbajtur zgjedhje demokratike brenda pesë viteve të ardhshme.

“Junta ushtarake e Malit po përpiqet të mobilizojë ndjenjat kombëtare. Duket se ka futur rusët ose është përpjekur të përdorë rusët për këtë synim. Nuk është plotësisht e qartë se sa ndikim praktik ushtarak mund të sjellë vërtet kjo përfshirje ruse”, thotë analisti Paul Melly nga organizata Catham House.

Ambasada ruse në Burkina Faso dhe junta ushtarake nuk pranuan të bënin komente për Zërin e Amerikës.

Analisti politik Bernard Bermouga ofron një këndvështrim pragmatik për situatën.

“Pavarësisht nëse bashkohemi me Francën, me Rusinë apo ndonjë vend tjetër, aleanca nuk do të jetë falas. Ata do të duan diçka në këmbim. Tani po kërkohet dikush që mund të ndihmojë Burkina Fason të dalë nga situata në të cilën ndodhet”, thotë ai.

Aktivisti i Lëvizjes për Rindërtimin e Burkina Fasos, Beogo Francois mori pjesë në protestën pro-ruse.

“Francezët duhet të na lënë t'i zgjidhim gjërat. Ne nuk jemi kundër Francës, por Franca duhet të menaxhojë punët e saj dhe të na lejojë të menaxhojmë punët tonat. Mos u merrni me ushtarët tanë. Ata do të kenë qetësi shpirtërore dhe do të jenë në gjendje të reflektojnë mbi mënyrën se si duhet të organizohen dhe të çlirojnë popullin”, thotë ai.

Ndërkohë organizata ruse që po trajnon trupat në Republikën e Afrikës Qendrore i ka ofruar mbështetje ushtarake Burkina Fasos. Mbetet për t'u parë nëse udhëheqësi i ri de fakto i Burkina Fasos, Paul Henri Damiba, do ta pranojë ofertën.

XS
SM
MD
LG