Departamenti amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore ka "mangësi të vazhdueshme" në aftësitë për t'u përgatitur dhe për t'iu përgjigjur emergjencave të lidhura me shëndetin publik. Kjo thuhet në një raport të lëshuar të enjten nga agjencia që mbikëqyr për llogari të Kongresit, punën e agjencive qeveritare. Raporti i referohet shqetësimeve të krijuara nga pandemia e COVID-19.
Departamenti i Shëndetësisë është në "rrezik të lartë" të keqmenaxhimit të një krize të ardhshme, thuhej në raportin e Zyrës mbi Llogaridhënien e Qeverisë (GAO), duke vënë në dukje se departamenti dështoi të zbatonte disa rekomandime të bëra më parë për të përmirësuar reagimin ndaj pandemisë.
‘GAO’ tha në raportin e saj se përtej pandemisë, ekzistojnë kërcënime të ndryshme që nënvizojnë nevojën për t'u përgatitur.
"Sado shkatërruese ka qenë pandemia e COVID-19, ngjarjet ekstreme të motit gjithnjë e më të shpeshta, viruse të reja dhe aktorë me qëllime keqdashëse që kërcënojnë të shkaktojnë dëme të qëllimshme po shfaqen, duke i bërë mangësitë që ‘GAO’ ka identifikuar veçanërisht shqetësuese", thuhet në raport. “Të mos jesh mjaftueshëm i përgatitur për një sërë emergjencash të shëndetit publik mund të ndikojë negativisht në kohën dhe burimet e nevojshme për të ta marrë veten plotësisht”.
Si një shembull i mungesës së gatishmërisë nga Departamenti i Shëndetësisë, ‘GAO’ tha se kishte paralajmëruar për mungesat e testeve për COVID-19 duke filluar nga shtatori i 2020 dhe më pas rekomandoi në janar të vitit të kaluar që departamenti të hartonte një strategji gjithëpërfshirëse kombëtare testimi.
Në përgjigjen e tij në maj 2021, departamenti i tha agjencisë mbikëqyrëse se do të siguronte një dokument ku të paraqiteshin planet e tij. "Megjithatë, deri më sot, departamenti nuk e ka ofruar këtë dokument", thuhet në raportin e ‘GAO’-s.
"Përgjigja e departamentit ndaj pandemisë COVID-19 ka nxjerrë në pah shqetësimet e kahershme që ne kemi ngritur në lidhje me aftësinë e tij për të kryer rolin që udhëheq shëndetin publik federal dhe gatishmërinë mjekësore, si dhe përgjigjen ndaj emergjencave të tilla të shëndetit publik", thuhet në raport.
Departamenti u përgjigj me një deklaratë të enjten ku thuhej:
"Ne ndajmë përqëndrimin dhe urgjencën e përmendur nga ‘GAO’ në luftimin e kësaj pandemie që ndodh një herë në shekull dhe dëshirën për të siguruar që nuk do të përballemi më kurrë me një pandemi të kësaj përmase".
Në raport përmenden probleme të vazhdueshme në koordinimin mes agjencive të shëndetit publik dhe në mbledhjen e të dhënave mbi sëmundjet infektive.
Shtetet e Bashkuara kanë zyrtarisht numrin më të madh të vdekjeve në botë shkaktuar nga koronavirusi, me mbi 870,000 vdekje të regjistruara që prej fillimit të pandemisë. Numri i përgjithshëm i rasteve është mbi 72 milionë, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Duke iu referuar një projekt-raporti, në fillim të këtij muaji, agjencia ‘Reuters’ njoftoi se ‘GAO’ kishte paralajmëruar se Departamenti i Shëndetësisë dukej i papërgatitur për të marrë përgjegjësinë e plotë për programin kombëtar të vaksinimit kundër COVID-19.