Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës thanë të premten se hapja e qendrave të votimit në territorin e Kosovës për një referendum të Serbisë paraqet shkelje të qartë të Kushtetutës, ligjeve të saj si dhe praktikave ndërkombëtare.
Të dielën me 16 janar, Serbia mban një referendum për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Beogradi synon që në votime të marrin pjesë edhe serbët e Kosovës, ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka paralajmëruar pasoja afatgjata nëse nuk lejohet një gjë e tillë dhe u ka bërë thirrje diplomatëve perëndimorë që të ushtrojnë ndikim mbi Prishtinën.
Në një deklaratë të përbashkët të presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të parlamentit Glauk Konjufca, pas takimit me diplomatët e pesë vendeve kryesore perëndimore dhe Bashkimit Evropian, thuhet se “mbajtja e referendumit është shkelje e tërësisë tokësore nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës".
Të tre udhëheqësit u gjetën nën trysni të premten nga diplomatët e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian për të lejuar referendumin.
Diplomatët perëndimorë shprehën keqardhjen që “qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë të grumbullojë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar".
"Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në një deklaratë duke ju referuar praktikës së mëhershme të grumbullimit të votave për zgjedhjet e Serbisë nga misioni i OSBE-së.
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në Kosovë të zbatohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, duke nënvizuar se Kushtetuta, ligjet dhe e drejta ndërkombëtare nuk e njohin të drejtën e një shteti për të organizuar referendum në territorin sovran të një shteti tjetër.
Sipas tyre praktikat e deritanishme të zbatuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese, e si rrjedhojë nuk janë detyrim për institucionet aktuale, ndërsa nënvizohet se këto praktika vetëm sa kanë fuqizuar strukturave e paligjshme të Serbisë në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti paralajmëroi për të shtunën një seancë të jashtëzakonshme të parlamentit lidhur me këtë cështje.
Mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është kundërshtuar edhe nga partitë opozitare.
Diplomatët perëndimorë u bënë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorikat që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian.
Edhe, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përmes nje letre që u publikua të enjten mbrëma nga qeveria e Kosovës, i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti për bahskëpunim në forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjes së pakicave kombëtare dhe arritjen e një marrëveshje me Serbisë, që në qendër ka njohjen e ndërsjellë.
Shtetet e Bashkuara, thotë sekretari Blinken, pret që nën udhëheqjen e kryeministrit Kurti të rikthehet ‘momentumi’ në procesin e dialogut duke i mbështetur zotimet paraprake të Kosovës, duke nxitur transparencën, duke i shmangur veprimet apo retorikën që mund t’i rrisë tensionet dhe duke u angazhuar në negociata me përqendrimin, kreativitetin dhe urgjencën e kërkuar”, thuhet në letër.
Kryeministri Kurti, mirëpriti letrën e sekretarit Blinken duke nënvizuar se Kosova është mirënjohëse për përkushtimin amerikan ndaj normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme me qendër njohjen e ndërsjellë”.
Analistët në Prishtinë thonë se letra e sekretarit Blinken, flet për shtimin e angazhimit amerikan për të çuar përpara procesin e normalizimit Kosovë – Serbi.
“Ky është edhe një tregues që Shtetet e Bashkuara kanë filluar të kanë një fokus më të shtuar në rajonin e Ballkanit dhe pritet që edhe Kosova ta luaj edhe rolin e vet në këtë zhvillim që presim gjatë këtij viti, është inkurajuese po shpresoj që edhe zoti Kurti do ta lexoj në mënyrë të tillë dhe të luaj atë pjesën e vet të lojës që të tregoj partneritet dhe të bëhet pak më konstruktiv ashtu siç e pamë në letër sidomos në çështjen e dialogut dhe të tregoj se mund ta zgjidhë këtë çështje, pra ka një shans historike në të cilën ai mund ta luaj rolin e vet sepse këtë e ka marr edhe nga populli në mandatin e tij”, tha analisti Ilir Ibrahimi.
“E cila në fakt i rikonfirmon zotimet amerikane, rikonfirmon përkushtimin dhe mbështetjen amerikane për Kosovën duke llogaritur ndoshta që Kosova kishte nevojë edhe për një konfirmim të tillë të qëndrimit amerikan karshi Kosovës i cili dukej sikur është luhatur jo që Shtetet e Bashkuara kishin dhënë ndonjë shenjë por sepse politika e jashtme e Kosovës nuk kishte arritur t’i përmbahej atij le të themi kohezionit, koherencës së raporteve me SHBA-të të cilat u dukën sikur ishin luhatur dhe ky konfirmim mendoj që vjen në kohën më të mirë të mundshme për Kosovën dhe duhet të merret shumë seriozisht”, tha profesori Rrahman Paçarizi.