Lidhje

Mërgimtarët bjellorusë në Poloni dhe kriza e emigrantëve


Kufiri mes Bjellorusisë dhe Polonisë tërhoqi vëmendjen e medias botërore pasi mijëra emigrantë u përpoqën të hynin në Bashkimin Evropian të nxitur nga qeveria e udhëheqesit bjellorus Alexander Lukashenko. Në themel të kësaj krize janë mosmarrëveshjet mes Varshavës dhe Minskut, mbi praktikën e Polonisë për t’u siguruar strehim të mërguarve politikë bjellorusë.

Mërgimtarët bjellorusë në Poloni dhe kriza e emigrantëve
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:41 0:00

Kjo është "Shtëpia bjelloruse" në Varshavë të Polonisë.

Qendra është bërë një strehë për aktivistët në mërgim dhe opozitën demokratike që kundërshton udhëheqësin bjellorus Aleksandër Lukashenko.

“Nuk presim që gjërat të ndryshojnë nesër. Askush nuk ka asnjë iluzion për këtë. Vala e emigrantëve bjellorusë është aktualisht e madhe”, thotë Ales Zarembyuk, Drejtor i Shtëpisë bjelloruse.

Kriza aktuale e emigrantëve nga vendet e Lindjes së Mesme që përpiqen të kalojnë kufirin e Bashkimit Evropian nëpërmjet Bjellorusisë i ka rrënjët tek të mërguarit politikë bjellorusë të cilët i shpëtuan shtypjes politike vitin e kaluar. Mes tyre Pavel Latushko, ish-ministër i Kulturës, i cili e sheh vendimin e udhëheqësit bjellorus për t’i lënë emigrantët në kufirin polak, si një përpjekje për t'u rikthyer në skenën ndërkombëtare.

“Lukashenko po përdor emigrantët për të arritur dy qëllime. Së pari: t'i shpëtojë izolimit politik, duke i detyruar udhëheqësit evropianë të nisin një dialog me të. Së dyti: të anulojë sanksionet ekonomike, ose të paktën të shmangë sanksionet e reja, që janë vendosur për shkeljet masive të të drejtave të njeriut nga ana e tij”, thotë Pavel Latushko, ish-ministër i Kulturës së Bjellorusisë.

Analistët thonë se protestat masive të vitin 2020 kundër zotit Lukashenko pas zgjedhjeve të manipuluara dhe reagimi shtypës i forcave bjelloruse të sigurisë ndaj tyre, janë të lidhura ngushtë.

“Për regjimin bjellorus, kriza e emigrantëve është një mënyrë e shkëlqyer për të shkëputur vëmendjen e botës nga ajo që po ndodh brenda vendit, sepse ne ende shohim shtypje, gjyqe, dënime qesharake, e njerëz në burg”, thotë Veronica Laputska, analiste politike në Bjellorusi.

Mediat ishin një nga grupet më të prekura nga hakmarrja politike. Gazetarët e pavarur e kuptuan se nuk mund të raportonin lirshëm për atë që po ndodhte në vend.

“Më shumë se njëqind gazetarë janë në Kiev, më shumë se njëqind janë këtu në Varshavë, shumë në Vilnius. Është më e lehtë të gjesh gazetarë bjellorusë jashtë vendit sesa në Bjellorusi”, thotë Dmitry Lukashuk, Drejtor i Radios Evropiane për Bjellorusinë

Por jo të gjithë ata që kanë mërguar në Poloni janë aktivistë. Në këtë kor të muzikës tradicionale bjelloruse në Varshavë, gjejmë nga gjithë, nga militantët antiqeveritarë tek njerëzit pa asnjë përkatësi politike.

“Është shumë e vështirë, më mungon shtëpia, dua të shkoj atje. Jetoj me shpresën se ndoshta nesër mund të shkoj në shtëpi, por kështu është shumë e vështirë të organizoj jetën time këtu. Nuk e di nëse do të qëndroj një javë apo dy vjet. Është një burg në liri”, thotë Galina, mërgimtare nga Bjellorusia.

Shpresa për t'u kthyer në shtëpi nuk humbet, por ajo veniten me kalimin e kohës e mes një pasigurie të pafund.

XS
SM
MD
LG