Lidhje

Kriza e emigrantëve ndan shoqërinë polake


Kriza e emigrantëve ndan shoqërinë polake
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:33 0:00

Mijëra emigrantë vazhdojnë të presin në Bjellorusi për të hyrë në Bashkimin Evropian nëpërmjet Polonisë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Cherneff, kriza e ka ndarë shoqërinë polake mes atyre që duan t’i ndihmojnë emigrantët dhe atyre që refuzojnë hapjen e kufijve të vendit.

Emigrantët varrosin njërin prej tyre, Mustafanë. Ai ishte një nga të pafatët mes mijëra emigrantëve që përpiqen të hyjnë në Bashkimin Evropian duke kaluar nga Bjellorusia për në Poloni. I ardhur nga Jemeni deri në Bjellorusi, ai humbi jetën për shkak të të ftohtit, urisë dhe rraskapitjes, pasi kishte hyrë në territorin e BE-së përmes pyjeve polakë.

Vendimi i udhëheqësit bjellorus Alexander Lukashenko për t’i dërguar emigrantët drejt kufirit të Bjellorusisë me Poloninë, ka krijuar ndasi në shoqërinë polake. Konservatorët kundërshtojnë pranimin e emigrantëve. Ata kanë demonstruar në rrugë për të kërkuar deportimin e personave që kanë arritur të hyjnë në Poloni.

“Nuk është në interesin e Polonisë, nuk është në interesin e Gjermanisë, apo në interesin e të gjithë Evropës t’i pranojë këta njerëz që përbëjnë një rrezik për sigurinë dhe identitetin tonë”, thotë Patryk Miernowski, nga organizata konservatore studimore “Ordo Luris”.

Edhe liberalët polakë kanë demonstruar në rrugët e Varshavës, duke kërkuar që kriza të menaxhohet duke lënë mënjanë ndjenjat nacionaliste dhe që autoritetet të lejojnë ndihmat për emigrantët.

“Është mirë të mbrohet disi kufiri, por nuk ka fare solidaritet njerëzor në sjelljet dhe veprimet e tyre”, thotë demonstruesi Marek.

Organizatat që ndihmojnë emigrantët e paktë që arrijnë të kalojnë kufirin thonë se ka shumë polakë që dëshirojnë të ndihmojnë emigrantët, por se ka edhe pjesë të konsiderueshme të popullsisë që i refuzon ata.

“Një pjesë e popullsisë duan të ndihmojnë dhe nuk janë dakort me çfarë po ndodh atje, me idenë që gra, fëmijë dhe burra janë duke vdekur në pyje. Dhe një pjesë tjetër e popullsisë dëshiron të mbrohet kufiri dhe i shikon këta njerëz si një kërcënim për lirinë e Polonisë dhe për shtetin polak”, thotë Karolina Szymanska, nga Fondacioni “Ocalenie”.

Vëzhguesit ndërkombëtarë i akuzojnë udhëheqësit polakë se kanë zgjedhur të anashkalojnë faktorin humanitar dhe të fokusohen vetëm tek konflikti gjeopolitik me Bjellorusinë dhe Rusinë.

“Polonia dhe autoritetet e saj nuk po e shikojnë vetëm si një krizë humanitare. Reagimi ka qenë shumë i militarizuar dhe gjuha e përdorur përmban termat ‘sulm, luftë, luftë hibride, konflikt’. Kanë parasysh edhe çfarë po ndodh përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë, ku Rusia ka dislokuar 100 mijë ushtarë dhe paisje të tjera”, thotë Marta Prochwicz-Jazowska, nga Fondi Gjerman Marshall, në Poloni.

Kriza e emigrantëve i ka rrënjët politike tek konfrontimi mes Varshavës dhe Minskut. Por dëmi i saj është shumë i prekshëm. Emigrantët janë duke jetuar nëpër barraka në Evropën lindore, ndërsa presin një zgjidhje mes konfliktit gjeopolitik.

XS
SM
MD
LG