Incidenti fatal gjatë xhirimit të një skene të filmi "Rust" ka ngritur shqetësime për sigurinë gjatë xhirimit të filmave. Autoritetet janë ende duke hetuar incidentin me armë të 21 tetorit në Nju Meksiko. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Penelope Poulou, bisedoi me zotin Tim Forrest, drejtor i programit të filmit në Kolegjin dy vjeçar të Nju Meksikos Qëndrore rreth masave të sigurisë gjatë xhirimit të filmave.
Gjatë xhirimit të një skene të filmit "Rust" në Nju Meksiko, humbi jetën producentja e fotografisë, Halyna Hutchings dhe u plagos regjisori i filmit, Joel Souza.
Aktori kryesor dhe producenti i filmit Alec Baldwin qëlloi me një armë që mendohej se ishte pa fishekë në drejtim të kamerës ku ndodheshin Hutchins dhe Souza.
Para se t’i jepte armën, ndihmës regjisori Dave Halls thuhet se kishte deklaruar se revolja antike “Colt 45” nuk kishte asnjë fishek real.
Tim Forrest, drejtor i programit të filmit në Kolegjin dy vjeçar të Nju Meksikos Qëndrore, thotë se në skenat e xhirimit të filmave ka protokolle sigurie.
“Në çdo xhirim filmi që kam marrë pjesë ka patur protokolle sigurie. Ka protokolle strikte për sigurinë në skenat e aktrimit, por shpesh gjatë filmimit, kur ka mbetur rreth një orë dritë gjatë ditës dhe personeli përpiqet të mbarojë punën, njerëzit bëhen maniak. Ata përpiqen të bëjnë sa më shumë që të jetë e mundur në mënyrë që të kenë një fitim më të madh. Këta njerëz, që merren me xhirimin e filmave, janë vërtet të talentuar, por ata gjithashtu janë shumë të mbingarkuar”, thotë ai.
Sipas gazetave “Los Angeles Times” dhe “Deadline Hollywood”, operatorët e kamerave u larguan nga skenat e xhirimit të filmit "Rust" për shkak të mungesës së pagave dhe kushteve të këqija të sigurisë.
“Asnjëherë nuk jam ndjerë më në rrezik të vdisja gjatë xhirimit apo gjatë udhëtimit me makinë se sa këtë radhë. Isha i rraskapitur”, thotë Lane Luper, shef i departamentit të kamerave për filmin "Rust".
Autoritetet folën me gazetarët për skenën pas incidentit.
“Ka patur gjithsej 500 fishekë. Ne dyshojmë që ne mesin tyre ka patur edhe fishekë realë”, tha sherifi i qarkut të Santa Fesë, Adan Mendoza.
Përgjegjësja për armët, Hannah Gutierrez Reed u tha hetuesve se municioni real nuk ishte mbajtur kurrë në skenat e xhirimit dhe ndihmës regjisori Dave Halls thuhet se kishte inspektuar më herët armën e përdorur në incident, por jo menjëherë para se t'ia dorëzonte aktorit Alec Baldwin.
Zoti Forrest thotë se ka rregulla të rrepta për trajtimin e armëve në skenat e xhirimit të filmave.
"Bëhet njoftimi me zë të lartë se, ‘kjo është një armë pa fishekë”. Ndihmës regjisori i parë kontrollon revolverin dhe u kërkon të tjerëve në skenë që të konfirmojnë se është pa fishekë. Dhe sigurisht, dikush dëshiron ta shohë, sepse është stresuese të kesh një armë me fishekë në një skenë të xhirimit të filmave", thotë ai.
Hetuesit po përpiqen të mësojnë se si një fishek u vendos në armën “Colt 45”.
Zoti Forrest thotë se protokollet e sigurisë së armëve kanë ekzistuar që nga fillimet eHollywood-it, duke përfshirë përdorimin e xhamit antiplumb midis kameras dhe armës.
“Drejtimi i armës në kamera është një pamje klasike. Në skenën e fundit të filmit ‘Grabitja e madhe e trenit’ shfaqet burri që i ka drejtuar armën kameras.”
Megjithatë, ka patur incidente të tjera me armë gjatë xhirimit të filmave, si ai në filmin e vitit 1994 "The Crow", kur aktori Brandon Lee u qëllua për vdekje.
Pas incidentit në xhirimet e filmit "Rust", aktori Dwayne Johnson ka thënë se kompania e tij e filmave nuk do të përdorë më armë reale.
“Ne do të përdorim armë plastike dhe do t’i ndryshojmë ato gjatë montazhit. Nuk do të shqetësohemi për koston që do të sjellë kjo. Unë mendoj se ne do ta bëjmë këtë në mënyrën e duhur. Kompania 'Seven Bucks' do ta bëjë këtë.”
Zoti Johnson është një nga aktorët dhe producentët e shumtë që tani po bëjnë thirrje për heqjen e të gjitha armëve reale nga skenat e xhirimit të filmave.