Lidhje

Bjellorusia forcon lidhjet me Rusinë në përpjekje për të lehtësuar izolimin


Bjellorusia forcon lidhjet me Rusinë në përpjekje për të lehtësuar izolimin
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:22 0:00

Bjellorusia forcon lidhjet me Rusinë në përpjekje për të lehtësuar izolimin

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, po kërkon të forcojë aleancën me Vladimir Putinin e Rusisë, për të lehtësuar izolimin ndërkombëtar të qeverisë së tij. Izolimi ndërkombëtar i Lukashenkos erdhi pas goditjes brutale të kundërshtarëve politikë, pas zgjedhjeve të manipuluara të vitit të kaluar. Siç njofton nga Minsku korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ricardo Marquina, manovrat e përbashkëta ushtarake në territorin e Bjellorusisë janë shenjë e aleancës mes Minskut dhe Moskës.

Trupat ruse hapin zjarr vetëm pak kilometra larg kufirit me Poloninë, kufiri lindor i NATO-s. Manovrat ushtarake të shtatorit në tokën Bjelloruse, të quajtura "Zapad 2021", synojnë të testojnë aftësitë e Minskut dhe Moskës për të vepruar si një forcë e vetme, i ashtuquajturi Bashkimi Shtetëror Ruso-Bjellorus.

Gjenerali Alexandër Volfovich, Sekretar i Këshillit të Sigurisë Shtetërore të Bjellorusisë, foli për Zërin e Amerikës mbi manovrat.

“Ky është simulim i zmbrapsjes së një agresioni, një pushtimi të territorit të Bashkimit Shtetëror (Ruso-Bjellorus) nga Perëndimi”.

Udhëheqja bjelloruse dëshiron të forcojë më tej lidhjet me Moskën përballë pranisë së NATO-s në Evropën Lindore. Analistët thonë se ka arsye për shqetësim mes disa prej fuqive perëndimore. Zëri i Amerikës bisedoi me Andrey Kortunovin, Drejtor i Përgjithshëm i Këshillit të Çështjeve Ndërkombëtare Ruse.

“Bashkëpunimi ushtarak dhe politik po bëhet më i thellë. NATO-ja është e shqetësuar për rritjen e pranisë ushtarake ruse në territorin Bjellorus”.

Manovrat janë një hap drejt integrimit të mëtejshëm të Bjellorusisë në sferën e ndikimit rus. Ato gjithashtu përfaqësojnë gatishmërinë e Moskës për të mbështetur regjimin bjellorus, i cili ka aftësi të kufizuara ushtarake, thotë për Zërin e Amerikës analisti ushtarak Pavel Felgenhauer.

“Bjellorusia ka një ushtri shumë të vogël, shumë të dobët, sepse Lukashenko shpenzoi në mbrojtje dy herë më pak se Estonia."

Shfaqja e mbështetjes ruse vjen pasi Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko ndodhet nën sanksione dhe i izoluar për shtypjen e kundërshtarëve të tij politikë. Nga ana tjetër, kundërshtarët e tij politikë e denoncojnë mbështetjen ruse.

Roman është aktivist i opozitës. Ai foli për Zërin e Amerikës nga Lituania, ku është strehuar pas shtypjes nga forcat e sigurisë së Lukashenkos.

“Rusia ka vite që sponsorizon regjimin e Lukashenkos. Rusia vazhdon ta mbrojë këtë regjim me të gjitha mjetet e mundshme diplomatike në arenën ndërkombëtare. Ekziston një bashkëpunim i ngushtë midis shërbimeve të sigurisë ruse dhe shërbimeve të sigurisë bjelloruse. "

Në Minsk janë zhdukur të gjitha shenjat e protestave masive të vitit të kaluar kundër Lukashenkos pas zgjedhjeve të manipuluara. Shtypja qeveritare e ka detyruar opozitën të heshtë ose të arratiset. Ndërkohë, në rrugët kryeqytetit tani ka vetëm vend për shprehje të krenarisë patriotike.

XS
SM
MD
LG