Vitin e kaluar Shtetet e Bashkuara shënuan një rënie rekord të numrit të njerëzve që jetojnë në varfëri falë programeve qeveritare për të kompensuar rënien ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias, familjet në nevojë janë ndihmuar me të holla nga programet e qeverisë.
Familja e Natalya Walker-it është një nga më shumë se 30 milionë familje amerikane që marrin ndihmë monetare për fëmijët. Shumën prej 300 dollarësh në muaj, ajo e ka shpenzuar për materiale shkollore.
“Ishte një bekim sepse nuk e prisja”.
Vitin e kaluar pandemia e detyroi atë që të mbyllte biznesin e saj të pastrimit. Ajo punoi sa herë që kishte mundësi dhe u mbështet tek bamirësitë lokale dhe ndihmat federale, siç ishin edhe pagat stimuluese në ndihmë të familjet në vështirësi gjatë pandemisë.
"Sigurisht që kam vënë disa kursime. Kisha filluar të investoja më shumë në biznesin tim dhe më pas fillova një biznes tjetër për djalin tim më të madh. Pra po investoja shumë tek djemtë e mi”, tregon ajo për Zërin e Amerikës.
Të dhënat e fundit nga byroja e regjistrimit të popullsisë, të analizuara nga disa studiues, tregojnë se familja e Natalyas nuk ka qenë e vetmja që ka përfituar nga një sërë masash ndihme ekonomike gjatë pandemisë.
Agjencia që merret me regjistrimin e popullsisë gjeti se niveli i varfërisë ra në 9.1% nga 11.8% që ishte në vitin 2019. 11.7 milionë amerikanë do të ishin llogaritur si të varfër në vitin 2020, nëse nuk do të kishin qënë pagat stimuluese. Zëri i Amerikës foli përmes rrjetit Skype me hulumtuesen Renee Ryberg të grupit jofitimprurës “Child Trends” .
“Janë rreth një milionë fëmijë të bardhë të mbrojtur nga varfëria. Pa pagesat stimuluese, niveli i varfërisë për fëmijët latinë dhe me ngjyrë do të ishte 6.8% më i lartë.”
Christopher Wimer është bashkëdrejtor i Qendrës për Varfërinë dhe Politikat Sociale në Universitetin Columbia.
“Për sa i përket efektit të plotë kundër varfërisë nga ndihma e zgjeruar ekonomike për fëmijët, kjo nuk do të shihet në fakt deri në vitin 2021. Tani për tani duket se zvogëlon varfërinë me rreth një të katërtën, ose 25%.”
Ndërsa ka marrë fund ndihma përmes pagave stimuluese, Kongresi po debaton mbi mundësinë e zgjatjes së ndihmës ekonomike për fëmijët.
Ekspertja e studimeve mbi varfërinë Angela Rachidi me Institutin Amerikan Enterprise, me prirje konservatore, shqetësohet se ndihma ekonomike do të zbehë motivimin e njerëzve për të punuar. Ajo gjithashtu shqetësohet nga sasia e madhe e parave që ka në plan të shpenzojë programi. Zëri i Amerikës foli me zonjën Rachidi përmes rrejtit Skype.
“Kostoja e zgjerimit të kësaj ndihme financiare për familjet me fëmijë është mbi 100 miliardë dollarë në vit. Pyetja qëndron, se si do t’i vazhdojmë këto lloj programesh që ndihmojnë njerëzit por gjithashtu të sigurohemi që ato familje të jenë të suksesshme.”
Jennifer Lassiter Smith drejton programet amerikane në INMED USA, një organizatë humanitare që u shërben mbi shtatë mijë familjeve me të ardhura të ulëta në pjesën veriore të Virxhinias.
“Është e gabuar të mendosh se ekziston kjo turmë masive njerëzish që po thithin paratë e qeverisë. Kam vënë re gjatë pandemisë se ndonjëherë ke nevojë për pak më shumë ndihmë. 500 dollarë ndihmë për një familje për të paguar qeranë bën dallimin që ajo familje të mos përfundojë e pastrehë. Kur kjo ndodh është rrëshqitje e tmerrshme. Të ndihmosh njerëzit të ruajnë gjendjen e tyre, është gjëja më e mirë që mund të bëjmë.”
Natalya Walker thotë se është e vendosur të vazhdojë të punojë shumë për të mbajtur familjen e saj larg varfërisë.
Ajo merr ndihma të ndryshme nga organizata jofitimprurëse lokale, LIFT-DC. Por ajo gjithashtu dëshiron që të vazhdojë ndihma ekonomike qeveritare për fëmijët, në mënyrë që ajo të investojë për të ardhmen e djemve të saj.
“Nuk jetoj përtej mundësive të mia. Kam punuar për gjithçka kam, e kam gjetur përmes një burimi ose e kam marrë falas. Shfrytëzoj çdo burim për veten dhe familjen time. Shpresoj që (ndihma financiare për fëmijët) të zgjasë deri në vitin 2025, nëse jo përgjithmonë”.