Dega e Shtetit Islamik në Afganistan ka marrë përgjegjësinë për sulmin në aeroportin e Kabulit.
Dy autorë sulmesh vetëvrasëse dhe persona të tjerë të armatosur goditën turmat afgane të mbledhura në aeroportin e Kabulit të enjten, duke vrarë të paktën 60 afganë dhe 12 trupa amerikane, thanë zyrtarët afganë dhe ata amerikanë.
Dega e Shtetit Islamik në Afganistan, e njohur si Shteti Islamik i Provincës Khorasan, që ka marrë emrin e lashtë të rajonit, tha në njoftimin në të cilin merrte përgjegjësinë për sulmin se kishte në shënjestër trupat amerikane dhe aleatët e tyre afganë.
Deklarata përmbante një fotografi që grupi militant thotë se ishte e autorit të sulmit vetëvrasës. Fotografia tregon sulmuesin e dyshuar që qëndron me jelekun me eksplozivë para flamurit të zi të Shtetit Islamik, me një maskë që i mbulonte fytyrën.
Deklarata nuk përmend një sulmues të dytë ose persona të tjerë të armatosur, që dyshohet se ishin përfshirë në sulm. Informacioni nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.
Shteti Islamik gjithashtu tha se autori i sulmit arriti të kalonte pikat talebane të kontrollit, duke arritur 5 metra pranë një grupi ushtarësh amerikanë, përkthyesish dhe bashkëpunëtorëve të tyre para se ta aktivizonte eksplozivin e tij. Në deklaratë thuhet se në mesin e viktimave kishte edhe talebanë. Grupi ekstremist Shteti Islamik ka luftuar kundër talebanëve, të cilët i konsideron si tradhtarë për nënshkrimin e një marrëveshje paqeje me Shtetet e Bashkuara.
Deklarata gjithashtu thotë se sulmuesi kishte kaluar përmes disa pikave amerikane të sigurisë dhe se në kampin që ishte vënë në shënjestër, forcat amerikane po mblidhnin dokumentet e atyre që kishin punuar me ushtrinë amerikane.
Facebook Forum