Të merkurën, administrata Biden njoftoi se amerikanët e vaksinuar plotësisht do të marrin një dozë përforcuese të vaksinës kundër COVID-19-s. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Esha Sarai sjell më shumë detaje.
Në një kohë kur pak më shumë se gjysma e popullatës në Shtetet e Bashkuara është vaksinuar kundër COVID-19-s administrata Biden njoftoi të mërkurën se do të ofrojë doza përforcuese për amerikanët tetë muaj pas marrjes së dozës së tyre të dytë.
"Tetë muaj pas dozës së dytë duhet marrë një dozë përforcuese. Ato do të jenë falas dhe mund të merren në cilëndo nga rreth 80,000 pikat e vaksinimit në shkallë vendi. Do të jetë e lehtë", tha Presidenti Joe Biden.
Ekspertët kryesorë amerikanë kanë thënë se provat kanë treguar se vaksinat janë efektive edhe kundër variantit delta.
"Edhe pse të dhënat e reja pohojnë se mbrojtja nga vaksina mbetet e lartë kundër rasteve më të rënda të COVID-it, ne jemi të shqetësuar se kjo prirje drejt rënies që po shohim, do të vazhdojë edhe në muajt në vazhdim, gjë që mund të çojë në uljen e mbrojtjes kundër formave të rënda të sëmundjes, shtrimit në spital dhe vdekjeve", thotë doktor Vivek Murthy, këshilltari kryesor i presidentit mbi çështjet e mjekësisë.
Por vendimi për doza përforcuese në SHBA ka nxitur kritika nga organizatat e shëndetit publik, të cilat vërejnë se pjesa më e madhe e botës është ende duke luftuar për të marrë dozën e parë të vaksinës.
“Vendimi i Shteteve te Bashkuara për një dozë përforcuese do të zgjerojë hendekun mes atyre që kanë dhe nuk kanë. Dhe kjo nuk është vetëm një njollë morale për vendet e pasura. Kjo realisht do të zgjasë pandeminë për të gjithë", thotë Jenny Ottenhoff, e organizatës jofitimprurëse One Campaign, që trajton çështje që lidhen me varfërinë.
Presidenti Biden iu përgjigj kësaj kritike duke vënë në dukje numrin e vaksinave që Shtetet e Bashkuara i kanë dhuruar vendeve të tjera.
"E di që se ka disa udhëheqës botërorë që thonë se Amerika nuk duhet të nisë të marrë dozën e tretë të vaksinës derisa vendet e tjera të marrin të parën. Nuk jam dakord me këtë. Ne mund të kujdesemi për amerikanët e të ndihmojmë botën në të njëjtën kohë. Në qershor dhe korrik, në SHBA u injektuan 50 milionë doza ndërsa dhuruam 100 milionë doza për vendet e tjera”, tha ai.
Vendimi i Uashingtonit bie në kundërshtim me thirrjet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për mos nxitur diskutimet mbi dozën e tretë derisa të vaksinohen një numër më i madh njerëzish në të gjithë botën.