Lidhje

Kabul, Talibanët vrasin kreun e qendrës shtetërore informative


Talibanët kanë vrarë me atentat kreun e qendrës shtetërore informative, Dawa Khan Menapal. Zyrtari i lartë u vra të premten në një xhami në Kabul, disa ditë pasi kishte paralajmëruar se funksionarë të lartë do të viheshin në shenjestër të sulmeve të Talibanëve, në kundërpërgjigje për goditjet nga ajri.

Talibanët morën përgjegjësi për vrasjen. Zëdhënësi i organizatës, Zabihullah Mujahid u dërgoi grupeve mediatike një mesazh ku thuhej se “ai u vra në një sulm special të kryer nga muxhaedinët”.

Luftimet janë intensifikuar në Afganistan që nga muaji maj, kur forcat ndërkombëtare filluan fazën përfundimtare të tërheqjes nga ky vend. Aktualisht Talibanët kontrollojnë sipërfaqe të mëdha në zonat rurale të vendit dhe kanë filluar të sfidojnë forcat qeveritare për kontrollin e zonave urbane.

Të mërkurën ky grup ekstremist paralajmëroi se do të ketë sulme të tjera kundër udhëheqësve të qeverisë afgane, një ditë pasi ministri i mbrojtjes i shpëtoi një atentati.

Sulmi me bomba dhe armë zjarri ndaj ministrit Bismillah Mohamadi të martën në darkë e solli konfliktin në zemër të kryeqytetit për herë të parë në disa muaj.

Ushtritë afgane dhe amerikane kanë shtuar sulmet nga ajri në betejën me kryengritësit në një numër qytetesh. Të mërkurën Talibanët thanë se sulmi në Kabul kishte qenë kundërpërgjigja e tyre për këto goditje nga ajri.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG