Lidhje

Administrata amerikane me nisma të reja për makina elektrike e hibride


Presidenti Joe Biden do të nënshkruajë të enjten një urdhër ekzekutiv për standarde të reja mbi gazet që çlirojnë automjetet. Po në këtë urdhër do të përfshihet edhe synimi që deri në vitin 2030 gjysma e makinave që shiten në ShBA të jenë elektrike.

Shtëpia e Bardhë tha përmes një deklarate se në këtë objektiv përfshihet prodhimi i baterive elektrike, si dhe shtimi i numrit të makinave elektrike dhe hibride.

Kompanitë kryesore të prodhimit të automjeteve kanë dalë vetë me objektiva që i përngjajnë nismës që ka përqafuar administrata Biden.

Kompanitë Ford, General Motors dhe Stellantis thanë përmes një deklarate të përbashkët se synojnë që brenda vitit 2030 makinat elektrike të përfaqësojnë 40-50% të prodhimit të përgjithshëm.

Shefi ekzekutiv i filialit të Toyota-s për Amerikën e Veriut tha se edhe kompania e tij do të kontribuojë në arritjen e këtij synimi.

Kompanitë e automjeteve thanë se një ndryshim i tillë kërkon më tepër se thjesht prodhimin e një tipi të ri makine. Ata thanë se do të duhet që qeveria të ofrojë subvencione për amerikanët që blejnë makina elektrike, si dhe fonde për të zgjeruar rrjetet e prodhimit për këto makina si dhe për të shtuar numrin e stacioneve të karikimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG