Me lehtësimin e pandemisë së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, ka filluar një diskutim rreth ndryshimeve që njerëzit duan të shohin në komunitetet e tyre pas përfundimit të pandemisë. James Rojas, ekspert i planifikimit urban të komuniteteve, po udhëheq një seminar për të eksploruar këto ide. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deana Mitchell sjellë hollësitë nga qyteti i Oaklandit në Kaliforni.
Për ekspertin e planifikimit urban, James Rojas, ajo që ka rëndësi është mënyra se si ndihen njerëzit për mjedisin e tyre.
"Në këtë seminar, ne do të përpiqemi të shtjellojmë të gjitha ndjesitë, emocionet dhe mësimet që kemi nxjerrë nga kjo pandemi", thotë ai.
Qytetet, lagjet dhe familjet janë përshtatur me pandeminë e Covid-19. Me fillimin e hapjes së shoqërisë, shumë njerëz po pyesin nëse gjërat duhet të kthehen në nivelin e mëparshëm apo duhet të bëhen disa ndryshime.
Rojas, i cili është pjesë e komunitetit homoseksual dhe atij latin, ka udhëhequr seminare gjatë karrierës së tij që synojnë t'u japin një zë atyre që shpesh përfaqësohen më pak në diskutimet mbi planifikimin e qyteteve, si gratë, komuniteti i homoseksualëve, emigrantët dhe njerëzit me ngjyrë.
Ai përdor objekte dhe plane të lagjeve për të nxitur biseda rreth ndjesive në mjedise të ndryshme.
"A jeni gati të flisni për jetën tuaj para Covid-19?", pyet ai.
“Ndjeva sikur isha në një farë piste, pa e ditur destinacionin, dhe kjo nuk kishte rëndësi për mua”, thotë Carol Mancke, pjesëmarrëse në seminar.
"Kështu është jeta", thotë zoti Rojas.
James Rojas u kërkon njerëzve të ndërtojnë një qytet të bazuar në kujtime pozitive.
"Ai kujtim që keni patur si fëmijë, është hera e parë që jeni ndjerë të lidhur me një vend, dhe këtë dëshironi të arrini në pjesën tjetër të jetës tuaj."
James Rojas dhe partneri i tij, John Kamp, kanë përjetuar ndryshimin nga pandemia në mënyrën se si ata punojnë dhe jetojnë. Një nga ndryshimet që ata përqafuan është organizimi i seminareve të tyre në internet, diçka që nuk do ta kishin menduar kurrë në të kaluarën.
"Njerëzit janë në hapësirën e tyre të vogël të sigurt dhe ata ndajnë këto histori që janë vërtet private", thotë ai.
"Njerëzit po dalin nga kjo përvojë me një kuptim shumë më të madh të asaj që vërtetë ka rëndësi për ta, asaj që u duhet", thotë John Kamp.
Njerëzit i thonë ekspertit Rojas se duan të shpenzojnë më shumë kohë me familjen, shëtitje në natyrë, të punojnë nga shtëpia, diçka që ai mendon se mund të vazhdojë.
"Ky ka qenë një eksperiment vërtet i madh, me mënyra të reja të punës", thotë ai.
Rritja e kohës së shpenzuar në natyrë gjatë pandemisë e ka ndihmuar zotin Rojas dhe ia ka lehtësuar jetën në apartamentin 32 metra katrorë, në të cilin ai banon me partnerin tij John Kamp.
"Ky është apartamenti ynë. Kemi një pamje të bukur të pemëve dhe kodrave të Oaklandit. Ka një hapësirë prej 32 metrash katrorë. Është hapësirë e mjaftueshme sepse ne kemi shumë lidhje me hapësira të jashtme", thotë ai.
Pjesëmarrësit e seminarit gjithashtu vlerësojnë natyrën, megjithatë ata theksojnë edhe rolin në rritje të teknologjisë.
"Ne jemi jashtë së bashku, por jemi të lidhur në një rrjet", thotë Carol Mancke.
"Po, natyra dhe teknologjia", shton zoti Rojas.
Eksperti i planifikimit urban, James Rojas shpreson që njerëzit mund të gjejnë ekuilibrin e duhur për veten e tyre, duke marrë disa mësime pozitive nga periudha sfiduese.