Lidhje

SHBA, Meksika zgjerojnë bashkëpunimin për të ndihmuar vendet e Amerikës Qendrore


Vice President Kamala Harris and Mexican President Andres Manuel Lopez Obrador arrive for a bilateral meeting on June 8, 2021, at the National Palace in Mexico City.
Vice President Kamala Harris and Mexican President Andres Manuel Lopez Obrador arrive for a bilateral meeting on June 8, 2021, at the National Palace in Mexico City.

Nënpresidentja amerikane Kamala Harris u takua të martën me Presidentin Meksikan Andrés Manuel López Obradorin në Meksiko Siti në vazhdën e përpjekjeve të saj për të frenuar valën e migrantëve në kufirin jugperëndimor të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar kushtet ekonomike në Amerikën Qendrore.

Nënpresidentja Harris dhe Presidenti Lopez Obrador ishin të pranishëm në momentin kur ndihmësit e tyre nënshkruan një "memorandum mirëkuptimi" për "krijimin e një partneriteti strategjik për të bashkëpunuar në programet e zhvillimit në trekëndëshin verior"që përfshinë Guatemalën, El Salvadorin dhe Hondurasin.

Dhjetëra mijëra qytetarë të këtyre vendeve kanë udhëtuar përmes Meksikës me synim hyrjen në Shtetet e Bashkuara në muajt e fundit, me më shumë se 178,000 migrantë që arritën në kufirin jugor të SHBA-ve vetëm në prill, gati gjysma tyre nga Amerika Qendrore.

Vice President Kamala Harris talks to the press gathered under the wing of Air Force Two as she prepares to depart for Mexico, from Guatemala's Air Force Central Command, Monday, June 7, 2021. (AP Photo/Jacquelyn Martin)
Vice President Kamala Harris talks to the press gathered under the wing of Air Force Two as she prepares to depart for Mexico, from Guatemala's Air Force Central Command, Monday, June 7, 2021. (AP Photo/Jacquelyn Martin)

Zonja Harris, në udhëtimin e saj të parë jashtë vendit si nënpresidente, kishte një mesazh të prerë të hënën për migrantët e Amerikës Latine ndërsa vizitoi Guatemalën: "Mos ejani". Ajo tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë “frikë” nga zbatimi i ligjeve të saj të imigracionit dhe ndalimi i njerëzve në kufi, por Presidenti amerikan Joe Biden ka lejuar që fëmijët migrantë të pashoqëruar të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara, ndryshe nga ish-Presidenti Donald Trump, i cili i dëbonte ata.

Presidenti meksikan López Obrador, duke iu përgjigjur një pyetjeje të një gazetari nëse Meksika ishte e gatshme të përforconte zbatimin e ligjeve saj të imigracionit, tha se ai dhe Harris "do të diskutonin këtë temë, por gjithmonë duke adresuar shkaqet themelore" të rritjes së valës së migrantëve.

Nënpresidentja Harris, sipas zëdhënësit të saj, i tha udhëheqësit meksikan në bisedat e tyre private se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë përpjekje të reja për të rritur investimet ekonomike në jug të Meksikës, duke përfshirë huatë për strehim me kosto të përballueshme.

Përveç kësaj, Shtetet e Bashkuara janë angazhuar të japin rreth 130 milionë dollarë gjatë tre viteve të ardhshme për të mbështetur punëtorët dhe reformat në ligjet e punësimit. Harris i tha zotit Lopez Obrador se Shtetet e Bashkuara do të ofronin më shumë trajnime për forcat e zbatimit të ligjit në Meksikë për të ndihmuar në zgjidhjen e më shumë se 82,000 rasteve të personave të zhdukur, një shqetësim kryesor për udhëheqësin meksikan.

Pas takimit me Presidentin Lopez Obrador, Nënpresidentja amerikane Harris mori pjesë në një diskutim me sipërmarrëset femra dhe me sindikatat e punëtorëve.

Ricardo Zuniga
Ricardo Zuniga

Ricardo Zúñiga, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara për trekëndëshin verior, u tha gazetarëve përpara takimeve të së martës se Shtetet e Bashkuara dhe Meksika "nuk kanë pasur këtë nivel bashkëpunimi në Amerikën Qendrore më parë".

"Gjëja kryesore është se është shumë e rëndësishme të tregojmë se Shtetet e Bashkuara dhe Meksika po bashkëpunojnë dhe po përpiqen të përmirësojnë kushtet në terren midis fqinjëve tanë për shkak të rëndësisë që vendet në Amerikën Qendrore kanë për ne", tha zoti Zúñiga. "Dy vendet tona janë destinacion i migrantëve nga Amerika Qendrore dhe ne kemi disa çështje të ngjashme të cilat po përpiqemi të zgjidhim me rrugë ligjore lidhur me migracionin dhe punësimin e përkohshëm".

Bisedimet e zonjës Harris në Meksikë ishin të ngjashme me ato në Guatemalë, ku ajo theksoi "forcën e shpresës" së bashku me përpjekjet e reja për të luftuar korrupsionin.

“Unë jam këtu sepse shkaqet kryesore të problemeve janë përparësia ime më e lartë, si trajtimi i çështjeve të varfërisë, atyre klimatike dhe pasojave të uraganeve si dhe pandemisë”, tha Harris para gazetarëve.

Udhëtimi i Nënpresidentes Harris ka ndikim në zhvillimet politike në SHBA, pasi republikanët fajësojnë Presidentin Biden dhe nënpresidenten Harris për valën në rritje të migrantëve në kufirin jugperëndimor të vendit, atë me Meksikën.

Në një konferencë shtypi në Guatemalë, zonja Harris shmangu një pyetje në lidhje me kohën se kur ajo do të vizitonte kufirin, edhe pse ajo ka thënë se do ta bënte një gjë të tillë në të ardhmen.

Në konferencë shtypi së fundmi, disa republikanë mbanin disa pankarta që kritikonin zonjën Harris, me mbishkrimin "Mungoni në Kufi".

Ajo i tha kanalit televiziv NBC në një intervistë para se të nisej për në Meksikë se përveç kufirit SHBA-Meksikë, ajo gjithashtu nuk ka vizituar Evropën që nga marrja e postit të nënpresidentes.

"Më intereson ajo që po ndodh në kufi," tha ajo. “Unë jam në Guatemalë sepse jam e fokusuar në trajtimin e shkaqeve kryesore të migrimit. Mund të ketë disa që mendojnë se kjo nuk është e rëndësishme, por unë besoj se për zgjidhjen e problemit në kufirin tonë është e nevojshme të trajtohen shkaqet rrënjësore të tij. Dhe unë po merrem me këtë ”.

Por Harris tha se megjithë përpjekjet e saj për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe ato ekonomike në Meksikë dhe Amerikën Qendrore, “Ne nuk do të shohim një përmirësim të menjëhershëm. Por ne do të shohim përparim. Puna e vërtetë do të marrë kohë për t'u manifestuar. A do t’ia vlejë? Po. A do të duhet pak kohë? Po", tha ajo.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG