Bryce Wettstein është një 16-vjeçare e talentuar nga Kalifirnia në sportin e skateboardit dhe një nga shpresat kryesore të Ekipit të Shteteve të Bashkuara për një medalje të artë në Lojërat Olimpike Verore 2021. Zëri i Amerikës foli me të dhe nënën e saj, Donna Wettstein për Olimpiadën e ardhshme dhe pasionin për sportin.
Bryce Wettstein merret me skateboard dhe surf, por edhe i pëlqen të kompozojë. Që kur ishte 13 vjeç, Bryce ka qenë një yll në rritje i Ekipit amerikan të Grave për Skateboard. Ajo e filloi këtë sport kur ishte vetëm pesë vjeç, por duket se që atëherë ajo e kishte të qartë se skateboard do të ishte jeta e saj.
"Një herë babai më tha se do të shkonte për skateboard në një pishinë diku. Unë u habita dhe e pyeta: Çfarë do të thuash, skateboard në pishinë?”
Por ishte një pishinë pa ujë dhe aty mund të bëje skateboard. Dhe gjatë gjithë kohës po më dukej e pamundur”!
Para se t’i përkushtohej këtij sporti, Bryce provoi vallëzimin, gjimnastikën, basketbollin, volejbollin dhe surfin. Por skateboard u bë pasioni i saj i vërtetë.
"Gjithmonë të mahnit, është si gjysma jote tjetër. Dhe e kuptova që ishte çdo ditë si një gjë e re”!
Për babanë e saj Max, - pilot me profesion – ky sport ishte thjesht një hobi. Mamaja e saj Donna, nuk ishte shumë entuziaste nga pasioni i vajzës së saj për skateboard, pasi është sport i rrezikshëm.
"Unë isha e kënaqur që ajo merrej me skateboard, por doja që të ekspozohej edhe ndaj aktiviteteve të tjera si vallëzimi. "
Sot, Bryce ka pistën e saj në oborrin e shtëpisë. Babai shpenzoi gjashtë vjet dhe të paktën 25 mijë dollarë për ta ndërtuar atë.
Shumë thonë që skateboardi është i ngjashëm me patinazhin dhe gjimnastikën - një aktivitet fizik i vështirë dhe një juri që vlerëson interpretimin. Por Bryce thotë se është një sport shumë frymëzues ku duhet edhe shumë krijimtari.
"Juria jo gjithmonë gjykon se sa e vështirë është apo sa preçize, sepse kur je në skateboard, ekziston edhe një element inovacioni”, thotë ajo.
Bryce është gjithashtu e apasionuar të luftojë stereotipat se ky sport është më i përshtatshëm për burrat sesa gratë
"Kur vajzat e bëjnë këtë sport, ato kurrë nuk përpiqen të imitojnë dikë tjetër”, thotë ajo.
Ëndrra e Bryce për Lojërat Olimpike do të realizohet këtë korrik. Ajo është një nga shpresat e ekipit të SHBA për një medalje të artë në lojërat e Tokios.
"Nëse shkoj ndonjëherë në podiumin e Olimpikeve - sinqerisht, nuk di si ta përshkruaj. Më duket se do të shpërthej në lot nga emocioni”, thotë Bryce.
Por pavarçësisht nëse fiton ose humbet, Bryce thotë se pjesëmarrja në Lojrat Olimpike është pjesa më e rëndësishme.
Facebook Forum