Lidhje

Heqja e kufizimeve për patentat e vaksinave, vetëm një hap i parë


Udhëheqësit botërorë përshëndetën qëndrimin që shprehu administrata e presidentit Joe Biden për të hequr dorë nga kufizimet që përmbajnë patentat e prodhimit të vaksinave për COVID-19 në Organizatën Botërore të Tregtisë. Megjithëse ky mund të jetë një përparim në luftën globale kundër pandemisë, siç njofton korrespondentja e Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara, është vetëm hapi i parë në një proces të gjatë dhe të komplikuar.

Heqja e kufizimeve për patentat e vaksinave, vetëm hapi i parë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:10 0:00

Me rritjen e rasteve në të gjithë botën, vendimi amerikan për të mbështetur heqjen e patentave për vaksinat COVID-19, është mirëpritur nga më shumë se 100 vende të Organizatës Botërore të Tregtisë. Propozimi për heqjen e kufizimeve u paraqit në tetor 2020 nga India dhe Afrika e Jugut.

"Kjo tregon ndikimin që kemi si vend që punon së bashku me të tjerët, që zëri dhe mesazhet tona kanë peshë."

Administrata e zotit Biden në thelb po angazhohet të përdorë autoritetin e saj në OBT për të filluar negociatat me shkrim për të arritur një kompromis me vendet që kundërshtojnë tërheqjen nga patentat, përfshirë Bashkimin Evropian, Japoninë dhe Britaninë.

“Mesazhi se Shtetet e Bashkuara i janë rikthyer angazhimit dhe mendojnë jo vetëm për interesin e tyre të brendshëm, por edhe në skenën ndërkombëtare dhe se janë të gatshëm të marrin një rol drejtues, është një sinjal shumë i rëndësishëm ", thotë Shyam Balganesh, profesor për pronën intelektuale në Universitetin e Kolumbias.

Por versioni që po mbështesin Shtetet e Bashkuara është më i kufizuar se sa propozimi origjinal, duke mbuluar vetëm patentat, jo mbrojtjet e tjera të pronës intelektuale dhe vetëm vaksinat, jo teknologji të tjera të lidhura me COVID-19-ën, përfshirë diagnostikimin dhe mjekimin.

"Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në procesin aktual të formulimit dhe as se deri në ç’pikë do të jetë e hapur për kompromis administrata e zotit Biden bazuar si tek ajo që duan vendet e tjera anëtare, edhe tek kërkesat e brendshme. Ka kompani të mëdha farmaceutike që janë shumë të shqetësuara për heqjen dorë nga patentat, tha Prof. Balganesh.

Është hapi i parë i një procesi të gjatë. OBT-ja është e bazuar në konsensus dhe të gjithë anëtarët duhet të bien dakord për të ecur përpara. Disa kundërshtarë të heqjes së patentave, përfshirë BE-në, kanë sinjalizuar se janë të hapur për negociata lidhur me pandeminë.

"Dhe kjo është arsyeja pse ne jemi të gatshëm të diskutojmë se si mund të ndihmojë për arritjen e këtij objektivi, propozimi i SHBA-së për heqjen dorë nga mbrojtja e pronës intelektuale për vaksinat", tha Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Pasi anëtarët e OBT-së të bien dakord për një tekst - një proces që mund të zgjasë me muaj - vendet do të miratojnë ligje për të shmangur rreziqet ligjore të prodhimit të versioneve kopje të vaksinave, bazuar në patentat egzistuese.

Shpresa është që të përshpejtohet vaksinimi global dhe të zvogëlohet pabarazia në shpërndarje. Ndërsa në disa vende si SHBA, shumica e popullsisë ka bërë të paktën njërën dozë të vaksinës, disa vende as nuk kanë filluar vaksinimin.

Por industria farmaceutike paralajmëron se heqja dorë nga patentat mund të ketë pasoja.

"Mund të krijohet një situatë pa kufizime ku furnizimet e pakta që janë shumë të nevojshme për të vazhduar prodhimin, të përfundojnë ndoshta në duart e disa kompanive që nuk dinë çfarë po bëjnë, dhe të shkaktojnë më shumë dëm sesa përfitim”, thotë Richard Torbett i Shoqatës së Industrisë Farmaceutike Britanike.

Ata thonë se është më mirë që vaksinimi botëror të bëhet përmes marrëveshjeve të liçencimit si ajo midis AstraZenecas dhe Institutit Serum të Indisë.

Organizatat humanitare kërkojnë që këto marrëveshje të përmbushin standarde të caktuara.

"Duhet të jenë transparente. Duhet të jenë në dispozicion të gjithë botës. Duhet të jenë të përgjegjshme", thotë Yuan Qiong Hu, një këshilltare e lartë ligjore dhe politike në organizatën Mjekët pa Kufij.

Ndërsa OBT diskuton mbi këto negociata komplekse të pronës intelektuale, valët e COVID-19 si ajo që po përjeton India janë një kujtesë e urgjencës së vaksinimit në shkallë globale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG