Në fillim të vitit 2020, një fabrikë në Shtetet e Bashkuara prodhonte qindra palë rrobe banje në ditë. Por pandemia e Covid-19 ndryshoi gjithçka, dhe kompania e stilistes së rrobave të banjës, Karla Colletto u desh të përshtatej me mjedisin e ri për të mbijetuar. Kompania filloi të prodhonte maska me materiale bakri.
Që nga prilli i vitit 2020, kjo fabrikë në Vjena të Virxhinias ka prodhuar maska dhe veshje të tjera mjekësore në vend të rrobave të banjës. Ndryshimi ndodhi pasi shitjet e rrobave të banjës të stilistes Karla Colletto ranë me nivel 75 për qind kur filloi pandemia.
“Ne e dinim se duhej të bënim diçka ndryshe për të mbajtur veten në biznes. Ne u detyruam të ndërprisnim prodhimin e rrobave të banjës dhe në atë kohë ne mësuam se spitalet dhe mjekët kishin nevojë për veshje mbrojtëse", tha Lisa Rovan, nënpresidente e kompanisë Karla Colletto.
Kompania filloi prodhimin e maskave që mund të ripërdoren, disa prej tyre me nanopjesëza bakri, të cilat kanë veti antibakteriale. Ajo që e bën të veçantë këtë maskë është fakti se ajo mund të lahet deri në 30 herë.
"E kuptuam se procesi i prodhimit të maskës ishte i ngjashëm me atë të prodhimit të rrobave të banjës. Shumë teknika dhe materiale kishin ngjashmëri", thotë stilistja e rrobave të banjës, Karla Colletto.
Deri më tani, kompania e stilistes Karla Colletto ka prodhuar mbi 22,000 maska me materiale bakri dhe mbi 15,000 veshje për personelin mjekësor.
Një shtresë e veçantë rezistente ndaj ujit i lejon ato të ruajnë vetitë e tyre anti-bakteriale edhe pas deri 30 larjesh.
"Duhet të shqyrtonim shumë gjëra për shkak të pandemisë. Ne duhej të riorganizonim makinerinë për të respektuar distancimin fizik dhe të gjitha udhëzimet e tjera të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve", thotë stilistja e rrobave të banjës, Karla Colletto.
Kjo e ndihmoi atë ta vazhdonte punën e biznesit të saj dhe të ndihmonte të tjerët. Sot, kompania e saj punon së bashku me një numër organizatash dhe iniciativash bamirësie.
"Një pjesë e të ardhurave nga shitjet e maskave u jepet organizatës “Fashion Girls for Humanity” dhe natyrisht ne kemi iniciativën tonë të fustaneve për të cilën ne vazhdojmë të punojmë", thotë zonja Colletto.
Organizata jofitimprurëse “Fashion Girls for Humanity” u themelua në vitin 2011 pas tërmetit shkatërrimtar në Fukushima të Japonisë. Misioni i saj është mbledhja e fondeve për iniciativa humanitare dhe shërbime urgjente.
Megjithatë, pas fillimit të pandemisë, të gjitha përpjekjet janë përqendruar në ofrimin e ndihmës për personelin sektorit të shëndetësisë.
“Ne vendosëm të mblidhnim fonde për të ndihmuar punonjësit e fabrikës dhe më pas t’u dhuronim veshje mbrojtëse spitaleve dhe institucioneve mjekësore që kanë nevojë më së shumti. Prandaj, erdhëm për të punuar me zonjën Colletto”, thotë themeluesja e organizatës “Fashion Girls for Humanity”, Miki Higasa.
Vetë Karla Colletto thotë se fabrika e saj do të vazhdojë të punojë në misionin e saj humanitar dhe do të vazhdojë të prodhojë maska dhe veshje mbrojtëse për aq kohë sa nevojitet.
Facebook Forum