Nën presion nga aktivistët, Presidenti Joe Biden nënshkroi një seri aktesh ekzekutive me synimin për të ulur dhunën nga armët e zjarrit, pas një numër vrasjesh masive. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara njofton se për momentin, shanset që të miratohen ligje për kontrollin e armëve në Kongresin e ndarë në vija partiake duken të zbehta.
Vrasjet e javës së kaluar në Kaliforni ku mbetën të vdekur katër vetë, ndër to një 9-vjeçar, janë një ndër incidentet e fundit të dhunës nga armë zjarri që po përpiqet të adresojë Presidenti Biden përmes një seri aktesh ekzekutive, përfshirë një masë për të ndaluar përhapjen e armëve pa numrin serial:
“Çdokush, që nga krimineli e deri tek terroristi, mund të blejë një komplet që për 30 minuta të montojë një armë zjarri. Në bazë të ligjit që propozova, këto komplete do të trajtohen si armë zjarri,” tha presidenti.
Një tjetër propozim synon të vendosë rregulla për një pajisje që rrit saktësinë e të shtënave, e ngjashme me pajisjen e përdorur në masakrën e muajit të kaluar në Kolorado.
Në të kaluarën ka pasur masa të ngjashme si vendimi i ish-Presidentit Trump për të ndaluar një pajisje që rrit shpjetësinë e të shtënave.
Miratimi i propozimeve të reja në Kongres nuk është i sigurtë. Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët miratoi kohët e fundit masa për të zgjeruar kontrollin e historikut të blerësit, por në Senat këto masa nuk gëzojnë shumë mbështetje.
“Nuk më intereson diçka që nuk funksionon. Mes demokratëve dhe republikanëve ka pasur prej kohësh dallime të mëdha filozofike mbi mënyrat për të trajtuar dhunën nga armët,” tha udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell.
Që nga viti 1994 kur u miratua ndalimi i armëve të stilit ushtarak, nuk janë miratuar reforma të tjera të mëdha. Ligji i 1994-ës skadoi në 2004 pasi lobi i armëve dhe republikanët nuk e lejuan zgjatjen e masave.
“Një grup i madh njerëzish shprehen se duan rregullore më të forta mbi amët, por nuk e shohin si temë parësore politike. Por ka grupe të tjera që kundërshtojnë çdo lloj kufizimi mbi armëmbajtjen dhe për ta është tema më e rëndësishme. Ata nuk e mbështesin një kandidat politik që flet për ligje më të forta për kontrollin e armëve. Ky hendek ka qenë faktor i rëndësishëm prej vitesh,” thotë eksperti ligjor për armëmbajtjen, Jacob Charles.
Për të drejtuar Agjencinë e Alkoolit, Duhanit dhe Armëve të Zjarrit e cila mbulon edhe zbatimin e rregulloreve mbi armëmbajtjen, Presidenti Biden emëroi David Chipman, ish-konsulent për një grup aktivist për kontrollin e armëve.
Presidenti hodhi poshtë pretendimet e aktivistëve për të drejtën e armëmbajtjes se propozimet e tij shkelin Amendamentin e Dytë të Kushtetutës.
“Që në fillim, nuk mund të zotëroje çdo armë që doje. Që në fillimet e ekzistencës së Amendamentit të Dytë për armëmbajtjen, disa kategori njerëzish nuk lejoheshin të zotëronin armë. Prandaj është absurde ideja që këto propozime bien ndesh me Kushtetutën,” tha presidenti.
Presidenti i ka dhënë urdhër Prokurorit të Përgjithshëm, Merrick Garland të propozojë një ligj-model që mund ta kopjojnë ose përshtasin shtete individuale. Këto ligje do të lejonin gjykatat të urdhëronin sekuestrimin e armëve nga persona që mund të përbëjnë kërcënim për veten apo të tjerët.
Departamenti i Drejtësisë do të nxjerrë edhe një raport mbi trafikun e armëve dhe do të akordojë një fond prej 1 miliard dollarësh që do të përdoret për grante të ndryshme për të ulur dhunën në komuntete.
Facebook Forum