Me pesë prill të vitit 1999, në fshatin Rrezallë, rreth 50 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe ekzekutuan 40 shqiptarë brenda një dite.
Një pjesë e trupave u gjetën pas luftës në një varrezë masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi, ndërsa për një pjesë të tyre ende nuk dihet asgjë, edhe sot kur janë mbushur 22 vjet nga kjo ngjarje.
“Unë jam Shaban Nezir Veliu nga fshati Rrezallë. Për pesë prill mund të them që është ditë e rëndë për fshatin tonë. Qysh herët në mëngjes forcat serbe paramilitare kanë ardhur këtu në fshat dhe i kanë grumbulluar të gjithë bashkëfshatarët e i kanë sjellë në shtëpinë e Hasan Dërgutit, i kan mbajtur tërë ditën. Para mbrëmjes i kanë ndarë burrat prej grave dhe pas një ore që kanë ecur gratë nga vendi ku i kanë tubuar ditën, i kanë dëgjuar krismat”, thotë familjari Nezir Veliu, babai i të cilit u vra në këtë ngjarje dhe vazhdon të jetë në mesin e perosnave që llogariten të zhdukur edhe sot e kësaj dite.
“Vështirë është ta përshkruaj se çfarë jete është, veç ai që e ka përjetuar në shpirtin e tij se çfarë do të thotë ta kesh këtë jetë. Gjithmonë me brengë se ku është, sa here kemi dëgjuar që ka gjetje ne jemi interesuar por ende nuk ka asgjë. Vështirë është”, thotë ai.
Në këtë fshat, 98 shqiptarë u vranë gjatë luftës nga forcat serbe. Shabani thotë se përveç mungesës së babait, familjen e tij e mundon edhe mosvënia e drejtësisë në vend për krimet e luftës.
“Thirrje o tash o kurrë, është momenti i fundit, dëshmitarët po vdesin dhe më nuk do të ketë kush t’i rrëfej këto ngjarje. Ne që nuk kemi qenë në vend të ngjarjes, mund të tregojmë se si na kanë treguar ata që kanë qenë aty, por ndryshe është të kesh dëshmitarë të gjallë të një ngjarjeje”, thotë Shabani.
Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha të hënën nga Rrezalla se nuk mund të ketë paqe derisa Serbia nuk i pranon krimet e kryera në Kosovë.
“Serbia është ajo e cila është e mbushur me varreza masive të shqiptarëve të vrarë gjatë viteve 1998-‘99, nga forcat shtetërore, ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë. Prej Batajnicës deri në Kizhevak, po ashtu Rudnicë e Rashkë, ka varreza të cilat i fsheh e ky është krim i dyfishtë”, tha ai.
Marigona Shabiu nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, i tha Zërit të Amerikës se deri tash 67 persona janë dënuar për krime lufte.
“Ne konsiderojmë se është bërë shumë pak, për vet faktin se kemi një numër kaq të vogël të të dënuarve me vendim të formës së prerë, qoftë nga gjykatat vendore, ndërkombëtare por edhe në Serbi apo shtete tjera ku ka pasur gjykime për krimet që kanë ndodhur”, thotë ajo.
Fondi për të Drejtën Humanitare, një organizatë e njohur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Serbi, pohon se ka dokumente që dëshmojnë se ish shefi shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviç, është përgjegjës për krime në fshatrat Rezallë dhe Çikatovë e Vjetër, të rajonit të Drenicës në Kosovën qendrore, si dhe për fshehjen e trupave në një varrezë masive në rajonin e Rashkës në Serbinë jugperëndimore.
Fondi thotë se ka dokumente që tregojnë qartë se në vrasjen e civilëve shqiptarë në Rrezallë dhe Çikatovë më 1999, kanë marrë pjesë ushtarët e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë serbe, komandant i së cilës asokohe ishte Lubisha Dikoviç, i cili shërbeu ndërkaq si shef i Shtatmadhorisë së ushtrisë serbe deri në vjeshtën e vitit 2018. Pohimet janë hedhur poshtë nga zyrtarët serbë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ditën që morri detyrën, tha se qeveria e tij do të ushtrojë padi për krime lufte kundër shtetit serb.
Marigona Shabiu thotë se qeveria në fakt duhet të përqendrohet në rritjen e mundësive të sistemit gjyqësor e prokurorial për t’i trajtuar krimet e luftës.
“Në departamentin e krimeve të luftës së Prokurorisë së Posaçme kemi vetëm katër prokurorë të cilët merren me krime të luftës. Pra është një numër shumë i vogël derisa kemi mbi 900 lëndë që janë trashëguar nga EULEX-i e të cilat lidhen me krime lufte”, thotë ajo.
Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e rreth 800 shqiptarëve të Kosovës.
Edhe 22 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë ende mbetet i panjohur fati i mbi një mijë e 640 personave të zhdukur, pjesa më e madhe e tyre të përkatësisë kombëtare shqiptare.
Facebook Forum