Në ditën e katërt të gjyqit ndaj Derek Chauvin, ish-oficerit të policisë të akuzuar për vdekjen e George Floyd-it, prokurorët paraqitën argumentet e tyre lidhur me incidentin e 25 majit. Anëtarët e jurisë dëgjuan ndër të tjera, dëshmitë e dy punonjësve të ndihmës së shpejtë që mbërritën në vendngjarje si dhe të dashurës prej rreth tre vitesh të zotit Floyd. Korrespondentja e “Zërit të Amerikës” Jesusemen Oni sjell më shumë detaje.
Seth Bravinder, një prej dy punonjësve të ndihmës së shpejtë që i përgjigj incidentit pranë dyqanit ushqimor “Cup Foods” më 25 maj të 2020, tha kur mbërriti, kishte parë oficerë që rrinin mbi pacientin.
“Bëtë një gjest me dorë... Çfarë po përpiqeshit të bënit në atë moment? pyeti prokurorja Erin Eldridge.
"Thjesht që oficeri të largohej", tha punonjësi i ndihmës së shpejtë Seth Bravinder.
Ai dëshmoi se pacienti, ishte 46-vjeçari George Floyd, dhe se ish-oficeri i policisë së Mineapolisit Derek Chauvin, vazhdonte ende t’i mbante gjurin mbi qafë.
"Nga pozicioni ku ndodhesha, vura re se ai nuk po merrte frymë", tha Seth Bravinder, punonjësi i ndihmës së shpejtë.
Ish-shefi i zotit Chauvin kritikoi përdorimin e zgjatur të forcës.
"A keni një mendim se kur duhet të kishte përfunduar mbatja me forcë e zotit Floyd?", pyeti prokurori Steve Schleicher.
"Po", shtoi rreshteri në pension i policisë së Mineapolisit, David Ploeger.
"Dhe cili është mendimi juaj?, pyeti më tej prokurori Steve Schleicher.
"Kur zoti Floyd nuk po u bëntë më asnjë rezistencë oficerëve, ata mund t'i kishin dhënë fund", tha rreshteri në pension i policisë së Mineapolisit.
Në ditën e katërt të gjyqit ndaj ish-oficerit të policisë të akuzuar për vrasje, dëshmoi edhe një tjetër punonjës i ndihmës së shpejtë që mbërriti në vendngjarje ditën e incidentit. Derek Smith u tha anëtarëve të jurisë se bebet e syrit të zotit Floyd ishin të zgjeruar dhe se pulsi i tij nuk rrihte më.
"Thënë qartë, mendova se ai kishte vdekur", tha punonjësi i ndihmës se shpejte Derek Smith.
Të dy punonjësit e ndihmës së shpejtë u përshkruan jurisë përpjekjet e tyre të pasuksesshme për t'i shpëtuar jetën zotit Floyd.
"Kur erdha në vendngjarje, ai kishte vdekur dhe dërgova në spital. Zemra e tij nuk po i rrihte më", tha punonjësi i ndihmës së shpejtë Derek Smith.
Më herët gjatë ditës, juria dëgjoi dëshminë e së dashurës prej rreth tre vitesh së zotit Floyd. Ajo tha se ai ishte një djalë i lidhur shumë me të ëmën dhe tregoi se si ishte takuar me të për herë të parë.
"Unë dhe djemtë e mi ishim shumë të lodhur, kishim hequr shumë, dhe ishte një gjest shumë i ëmbël që një person i mirë vjen vetëm për të të thënë: a mund të lutemi bashkë….kur unë ndihesha vetëm”. Courteney Batya Ross, e dashura e George Floyd-it
Zonja Ross gjithashtu tregoi se si të dy kishin luftuar me problemet që u kishte shkaktuar varësia nga opioidet. Avokati mbrojtës i zotit Chauvin e pyeti zonjën Ross lidhur me modelin që ndiqte zotit Floyd në përdorimit e drogave, përfshirë edhe një rast kur ai ishte shtruar në spital për shkak të një mbidoze.
"Ju nuk e dinit që ai në atë kohë merrte heroinë?" pyeti avokati mbrojtës Eric Nelson. "Jo", u përgjigj zonja Ross.
Avokatët e zotit Chauvin mbrojnë argumentin se zoti Floyd nuk vdiq nga përdorimi i forcës, por nga probleme shëndetësore e përdorimi i drogës.
Facebook Forum