Një ndër efektet anësore të terapisë kundër kancerit është rënia e flokëve. Një grua që e ka vuajtur vetë këtë pasojë vendosi se rënia e flokëve nuk do ta bënte as të ndjehej dhe as të dukej keq.
“Këtë shall e kam ngjyer me indigo në nuancë të hapur, më pas e kam ngjyrosur me lëkurë qepësh që krijojnë një nuancë shumë të bukur ngjyrë të verdhë,” thotë stilistja Amy Hindman.
Stilistja Amy Hindman me banim në Virxhinia, bën shalle nga materiale bio me bojëra natyrale të nxjerra nga zhardhokë, apo fruta e perime. Ajo kultivon vetë plot lule e zarzavate në një fermë të vogël pranë Uashingtonit.
“Ka plot lule që njihen për veçoritë që shërbejnë për ngjyrosje pëlhure, të cilat janë përdorur prej shekujsh. Këto lule që kam zgjedhur janë rezistente dhe krijojnë një ngjyrë të bukur të verdhë në përtokalli, madje edhe të zezë”.
Zonja Hindman thotë se duhen 2-3 javë për të prodhuar një shall. Secili nga shallet që krijon ajo zbukurohet me motive që reflektojnë rrugën e vështirë të vetë stilistes gjatë kurimit. Në 2009, pak pasi lindi, Amy Hindman u diagnostikua me kancer të shkallës së tretë dhe filloi menjëherë mjekimin në Universitetin Johns Hopkins.
“Interesant ishte fakti që mjekimi në spital ishte shumë më ndryshe nga trajtimi që më kishte bërë mjeku që më diagnostikoi fillimisht. Më habiti kjo gjë,” thotë zonja Handman.
Kimoterapia, operacioni për të hequr masën kanceroze dhe më pas për rindërtimin e gjirit u pasuan nga një operacion tjetër për heqjen e vezoreve, pasi zonja Hindman konsiderohej në grupin e rrezikut të lartë. Gjatë mjekimit, filluan t’i binin flokët. Asaj gjithmonë i pëlqenin shallet, por tani shallet morën një kuptim të ri.
“Fillova të provoj shalle të ndryshme, fillova të vë paruke dhe e kuptova se në treg nuk kishte zgjedhje aspak të mira. Gjithashtu paruket nuk janë të rehatshme”.
Shoqata amerikane e Onkologjisë Klinike i dha zonjës Hindman dy grante për të filluar një linjë shallesh. 5% e shitjeve shkon për të mbështetur organizatën FORCE që ofron fonde për paciente të kancerit të gjirit dhe vezoreve.
Zonja Hindman pohon se arriti ta mposhtë sëmundjen duke e mbajtur mendjen tek fëmijët e saj si dhe gra të tjera që kanë vuajtur nga kanceri.
“Falë vajzave arrita ta luftoj me sukses, pasi doja të shihnin se mund t’ia dalësh edhe përballë diçkaje tepër të vështirë”.
Zonja Hindmand ka tani plot kliente.
“Tingëllon si çmenduri, por mendoj se kanceri i ka bërë mirë. E ka bërë luftarake,” thotë klientja e saj Jackie Graham.
Zonja Hindman ka në plan të hapë një studio të vogël ku gratë të mësojnë të punojnë me materiale bio. Këtë vit ajo shpreson që në linjën e saj të ketë jo vetëm shalle, por edhe fustane.
Facebook Forum