Presidenti Joe Biden po bën turne nëpër Shtetet e Bashkuara për të promovuar paketën e tij stimuluese me vlerë 1.9 trilionë dollarë kundër pandemisë, me nisma për të rikthyer normalitetin. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara analizon se si dallon stili dhe toni i Presidentit Biden nga ai i pararendësit të tij, Donald Trump.
Ndërkohë që vendi përpiqet të kthehet në normalitet, Presidenti Biden po vazhdon një turne nëpër një numër qytetesh amerikane për të promovuar paketën e tij stimuluese prej 1.9 trilionë dollarësh që nënshkroi javën e kaluar. Disa amerikanë i kanë marrë tashmë pagesat e ndihmës.
Koronavirusi ka qenë tema qendrore për presidentin gjatë dy muajve të parë në detyrë. Ai është përpjekur gjatë kësaj periudhe ta kthejë presidencën në një rol më tradicional pas katër vjetësh nën udhëheqjen e pazakontë dhe shpesh kaotike të Donald Trumpit.
“Nuk duhet të harrojmë se qeveria nuk është një forcë e huaj në një kryeqytet të largët. Qeveria jemi të gjithë ne, populli,” tha zoti Biden.
Javën e kaluar, në një-vjetorin e pandemisë, presidenti u shpreh me komente keqardhjeje dhe ngushëllimi për amerikanët, ndërkohë që vendi ka regjistruar mbi 536,000 viktima dhe ndërkohë që shtohen shpresat me intensifikimin e vaksinimeve.
Edhe presidentë pararendës kanë mbajtur fjalime për të ngritur moralin e vendit, si George W. Bush pas sulmeve të 11 shtatorit, apo Barak Obama që foli me lot në sy pas masakrës së nxënësve të një shkolle.
“Këto rituale kanë për synim t’u ofrojnë njerëzve një mënyrë për të kuptuar ngjarjet bashkarisht, si vend dhe mënyrën për t’i kapërcyer,” thotë analisti Jeff Bennett.
65% e amerikanëve shprehen pozitivisht për mënyrën si ka reaguar presidenti ndaj pandemisë, pjesërisht pasi nuk e ka nënvlerësuar krizën si pararendësi.
"Virusi nuk ka shans përballë nesh. Asnjë vend nuk është më i përgatitur e më i fuqishëm se SHBA,” pat thënë ish-Presidenti Donald Trump.
“U harxhua energji e madhe për t’ia kaluar fajin dikujt tjetër për COVID-in, pasi zoti Trump besonte se nëse fliste haptazi për problemin po implikonte disi veten. Presidenti Biden po vepron krejt ndryshe, duke mobilizuar burimet federale, por edhe duke folur me fjalë të thjeshta ngushëllimi për vendin,” thotë zoti Bennett.
Megjithatë, presidenti ka përballë plot sfida. Asnjë ligjvënës republikan nuk e mbështeti paketën e tij.
“Kjo paketë është shembull ideal i qeverisë së madhe dhe shtrirjes së tepruar të demokratëve në emër të ndihmave kundër COVID-it,” tha Mitch McConnell udhëheqës i pakicës republikane në Senat.
Zoti Biden thotë se synon të bashkojë vendin, por vetëm 48% e amerikanëve besojnë se do t’ia dalë.
Megjithë thirrjet e presidentit për bashkim, fryma e bashkëpunimit dypartiak nuk pritet të bëhet realitet:
“Mendoj se ai është i sinqertë në këtë përpjekje dhe se beson vërtetë se ka një numër republikanësh në Senat, të cilët janë velur nga mënyra e qeverisjes së deritanishme. Por ende nuk kemi parë prova se ekziston vullneti për kompromis,” thotë analisti Norman Ornstein.
Anketa të ndryshme tregojnë se pjesa më e madhe e votuesve republikanë besojnë teoritë e pabaza se zgjedhjet u vodhën, gjë që përbën një tjetër pengesë për frymën e bashkimit.
Facebook Forum