Lidhje

SHBA, Liria e shtypit gjatë protestave sociale në 2020


Andrea Sahouri nën arrest më 31 maj 2020
Andrea Sahouri nën arrest më 31 maj 2020

Një gazetare në Ajova u shpall këtë javë e pafajshme për akuza që lidhen me mbulimin e protestave të vjetshme për drejtësi racore. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jesusemen Oni njofton se ky rast ka thelluar shqetësimet për lirinë e shtypit në Shtetet e Bashkuara.

Pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd gjatë arrestit, në mbarë Shtetet e Bashkuara shpërthyen protestat. Viti i kaluar u karakterizua nga trazira sociale mbarëkombëtare dhe punonjësit e shtypit u ndeshën me sulme dhe arrestime të pashembullta.

Shqetësimet për lirinë e shtypit në Shtetet e Bashkuara
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:39 0:00

Andrea Sahouri, reportere për një gazetë në Ajova thotë se e sulmuan me spërkatëse me spec djegës dhe e arrestuan gjatë mbulimit të një demonstrate.

“Nuk mendova se ishte e nevojshme të vrapoja për t’u ikur policëve. Nuk po bëja asgjë të keqe. Ngrita duart dhe u thashë disa herë ‘Jam gazetare’,” tregon ajo.

Vdekja e George Floyd-it në Mineapolis u pasua me protesta disa javëshe. Gazetarët shpesh bëheshin tema të artikujve të medias. Sipas portalit “U.S. Press Freedom Tracker”, afro 130 gazetarë u arrestuan ose u ndaluan në 2020.

“Ka pasur rritje më shumë se 1200% krahasuar me një vit më parë. Kjo shifër është më e lartë se ç’kemi regjistruar në total që nga themelimi i organizatës në 2017. Ishin zhvillime të pashembullta, shkelje të pazakonta për lirinë e shtypit. Përse e nxorën këtë gazetare në gjyq, askush nuk e kupton plotësisht,” thotë Kirstin McCudden, redaktore përgjegjëse për “U.S. Press Freedom Tracker”.

Në shumicën e rasteve, akuzat kundër gazetarëve u tërhoqën.

Prokurorët në Ajova argumentuan se zonja Sahouri dhe i dashuri i saj, Spenser Robnett i bënë rezistencë policisë që po përpiqej të shpërndante turmën:

“E kapa për krahu sepse ishte ende në zonë, nuk ishte larguar. Ajo sikur u përpoq të më largohej. Në atë kohë zoti Robnett u afrua dhe e kapi nga krahu i djathtë dhe u përpoq la lironte nga kontrolli im,” tregon polici Luke Wilson.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty international, e konsideron këtë çështje si provë për lirinë e shtypit në Amerikë:

“Është shumë shqetësuese kur një gazetare që po mbulonte protestat dërgohet në gjyq. Kjo përbën shkelje të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës që e deklarojnë me krenari Shtetet e Bashkuara, të sanksionuar në Amendamentin e Parë,” thotë Denise Bell e degës së Amnesty International në Shtetet e Bashkuara.

Juria e shpalli të pafajshme gazetaren dhe aktivistët për lirinë e shtypit thonë se ky rast mund të shërbejë si shembull për t’u cituar në çështje të tjera gjyqësore me gazatarë të arrestuar gjatë detyrës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG