Dy dokumentarë hedhin dritë mbi gratë që sfidojnë mundësitë përballë brutalitetit dhe korrupsionit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Penelope Poulou foli me kineastët lidhur me projektet e tyre.
Është mesi i natës dhe një ekip vullnetarësh Jazidi hyjnë vjedhurazi në kampin e refugjatëve al-Hol në verilindje të Sirisë për të liruar vajzat dhe gratë Jazidi të njohura si "sabajas", të mbajtura si skllave seksuale nga mbështetësit e ISIS-it. Pas rënies së Shtetit Islamik, kampi u bë i njohur për strehimin e mbështetësve por edhe të viktimave të ISIS-it. Duke folur përmes një përkthyesi, regjisori Hogir Hirori thotë se shkoi në zonën e rrezikshme për të filmuar dokumentarin e tij "Sabaya" i armatosur me armë dhe kamerën e tij.
“…Një nga gjërat më të vështira në procesin e përpjekjeve për të gjetur vajzat është se ISIS-i ndryshon vendndodhjet e tyre gjatë gjithë kohës”, thotë regjisori.
Hirori, një etnik kurd që u arratis në Suedi, thotë se gjetja e këtyre grave do të ishte e pamundur po të mos kishte qenë për gra të tjera, mes tyre ish-skllave, të cilat guxuan të ktheheshin përsëri në kamp për të ndihmuar ato që kishin ngelur pas.
Dokumentari “Sabaya” tregon vajzat e liruara me foshnje dhe fëmijë të lindur me rrëmbyesit e tyre. Fillimisht, shumë vajza kanë frikë se familjet e tyre nuk do t'i mirëpresin përsëri. Por, Hirori thotë se me ndihmën e vullnetarëve, shumë nga këto gra të traumatizuara ngadalë e marrin veten dhe gjejnë motiv duke shtëpuar vajza të tjera.
Në dokumentarin "Writing with Fire", 32-vjeçarja Meera është gazetare me Khabar Lahariya, e vetmja gazetë e drejtuar nga gratë në provincën indiane Uttar Pradesh.
"Përjetuam bashkimin e dy forcave mahnitëse: njëra, ishte forca e grave Dalit, të cilat po shkëputeshin nga një prej sistemeve më mizore të shtypjes dhe pabarazisë dhe nga ana tjetër ishte forca e internetit të pakufizuar”, thotë Rintu Thomas regjisore e dokumentarit.
Regjisorët Rintu Thomas dhe Sushmit Ghosh, të dokumentarit “Writing with Fire,” shpjegojnë se si gratë Dalit sfidojnë sistemin e ashpër të kastave në Indi.
"Për një burrë të një shtrese të lartë në Indi, gratë Dalit janë ato që zakonisht pastrojnë tualetet e tyre. Por kur përballen me pamjen e një gruaje me celular në dorë që iu bën pyetje, nuk dinë çfarë të thonë. Mbeten gojëhapur", thonë regjisorët.
Dokumentari tregon këto gra që u bëjnë pyetje të forta lidhur me përdhunimin, korrupsionin dhe shtypjen e pakicave, burrave në pozicione të larta. Disa kanë vetëm arsimin bazë, ndërsa të tjerat kanë studiuar gazetari. Shumë janë nëna dhe gra. Meera, për shembull, ka menaxhuar familjen e saj që nga mosha 14 vjeçare. Regjisorët thonë se, megjithë sistemin patriarkal në Indi, në Uttar Pradesh, këto gra gëzojnë mbështetjen e burrave dhe baballarëve të tyre. Ata mbajnë familjen duke punuar shumë.
"Kjo është rutina e tyre e përditshme: marrin trenin për disa orë dhe pastaj një autobus një biçikletë dhe më pas ecin për rreth dy ose tre orë për të arritur në një fshat që nuk ekziston në hartë. Vetë udhëtimi mund të të shkatërrojë”, thotë regjisori Sushmit Ghosh.
Të armatosura me kamerat e celularëve të tyre, këto gra kapërcejnë kufijtë. Ato janë komanduese, të guximshme, konkurruese. Khabar Lahariya, platforma dixhitale e lajmeve të krijuara nga këto gra, krenohet me 150 milionë shikues deri tani ndërsa numri i tyre rritet.
Facebook Forum