Administrata e Presidentit Biden dhe zyrtarët evropianë vazhdojnë përpjekjet për të rihapur negociatat me Iranin në lidhje me një marrëveshje të re bërthamore, pavarësisht refuzimit të Iranit për të biseduar me Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, siç raporton Linda Gradstein për Zërin e Amerikës nga Jeruzalemi, tensionet në rajon po rriten.
Tensionet midis Izraelit dhe Iranit janë rritur pas një sulmi ndaj një anijeje në pronësi të Izraelit dhe hakmarrjes së Izraelit ndaj objektivave iraniane në Siri. Udhëheqësit ushtarakë të Izraelit paralajmërojnë se ata do të veprojnë kundër të gjitha kërcënimeve të terrorizmit dhe zhvillimit të armëve bërthamore.
Përshkallëzimi vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe evropianët punojnë për të rifilluar negociatat me Iranin për një marrëveshje bërthamore.
Izraeli kundërshtoi me forcë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 dhe përshëndeti ish-Presidentin Trump për tërheqjen nga marrëveshja.
Sanksionet që rivendosi ish-Presidenti Trump kanë dëmtuar ekonominë e Iranit, por jo programin e tij bërthamor. Irani ka vazhduar të pasurojë uranium, shumë më tepër sesa ishte lejuar sipas marrëveshjes bërthamore, thotë Izraeli, si dhe u ka vendosur kufizime inspektorëve të Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA).
"Nga pikëpamja izraelite është shumë e qartë. Është një marrëveshje shumë e keqe që u lejoi iranianëve të vazhdojnë me sistemin e tyre të pasurimit (të uraniumit). Tani ata kanë centrifuga shumë më të mira sesa kishin para marrëveshjes. Perëndimi i diellit është shumë pranë - mendoj se në vitin 2025 ata fillojnë të kthehen në normalitet dhe për shtatë vjet do të kenë të gjithë legjitimitetin për të vazhduar me projektin bërthamor", thotë Yaakov Amidror, nga Instituti Hebre për Sigurinë Kombëtare të Amerikës.
Por disa zyrtarë të ushtrisë dhe zbulimit izraelit kanë shprehur mbështetjen për një kthim të Shteteve të Bashkuara në marrëveshjen bërthamore të Iranit, në kundërshtim me politikën e qeverisë izraelite.
"Unë nuk mendoj se mund t'i besojmë Iranit, por kjo është arsyeja pse ka një marrëveshje. Dhe ka vëzhgues, vëzhgues të OKB-së. Dhe unë u besoj aftësive të zbulimit të Shteteve të Bashkuara dhe të Izraelit për të parë nëse iranianët do ta zbatojnë marrëveshjen”, thotë deputeti Omer Bar Lev.
Disa analistë ushtarakë izraelitë thonë se përpjekja e Iranit për armë bërthamore është pjesë e politikës së tij më të gjerë të jashtme.
"Irani në thelb po përdor një mega-strategji për t’u bërë një superfuqi rajonale, mbase një superfuqi globale. Së pari duke zhvilluar aftësitë bërthamore dhe së dyti, hegjemoninë në Lindjen e Mesme përmes mbështetjes së grupeve terroriste dhe të gjitha aktiviteteve të tyre në Irak, Siri, Liban dhe Jemen”, thotë Amos Jadlin, nga Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare.
Ndërsa tensionet rajonale rriten, Shtetet e Bashkuara sulmuan gjithashtu objektivat e mbështetur nga Irani në Siri, përdorimi i parë i forcës ushtarake nga Presidenti Biden.
Facebook Forum