Lidhje

Wisner: Shpresoj që përmirësimi i gjendjes në Kosovë dhe procesi i negociatave të bëhen paralelisht


Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish-ambasadori Wisner thotë se se e kupton se zoti Kurti do që të përqendrohet tek përmirësimi i gjendjes në Kosovë, por shton se shpreson që procesi i negociatave me Serbinë të bëhet paralelisht. Ai thotë se rikthimi në politikën e jashtme tradicionale nga ana Presidentit Biden, përfshin edhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në Ballkan, sespe pa u zgjidhur ato “ëndrra e politikës amerikane për një Evropë të bashkuar të lirë dhe të sigurt, nuk mund të realizohet.”

Zëri i Amerikës: Ambasador Wisner le të fillojmë me zgjedhjet e fundit në Kosovë dhe ndryshimet atje me fitoren e zotit Kurti dhe Vetëvendosjes. Zoti Kurti ka thënë se përparësitë e tij do të jenë të politikës së brendshme dhe jo negociatat me Serbinë. Cili është mendimi juaj për këtë qëndrim?

Frank G. Wisner: Para së gjithash, është kënaqësi të jem me ju dhe t’u flas përmes jush miqve të mi të shumtë në Kosovë. Unë ndoqa nga afër garën politike para zgjedhjeve dhe i dërgoj urimet e mia më të mira zotit Kurti. Kam pasur privilegjin ta njoh dhe i uroj sukses. Ai ka një detyrë të madhe përpara.

Është e qartë se mandati i elektoratit është se ka ardhur koha për një ndryshim në drejtimin e politikës kosovare, ky është qartësisht mandati i elektoratit. Njerëzit donin ndryshim dhe ai është në pozicionin më të mirë se gjithkush në vitet e fundit për të ushtruar ndikim për të sjellë atë ndryshim.

Përsa i takon drejtimin që do të marrë, ai e ka bërë shumë të qartë gjatë rrjedhës së fushatës së tij dhe veprimeve dhe pozicioneve të tij para fushatës se ai dëshiron t'i japë përparësi të ardhmes së Kosovës, funksionimit të ekonomisë, funksionimit të institucioneve, integritetit së qeverisë. Dhe të gjitha këto duhet të mirëpriten nga miqtë e Kosovës jashtë vendit. Unë pa diskutim që i përshëndes dhe me të vërtetë i uroj sukses. Nuk do të thotë që këto detyra janë të lehta. Ato kërkojnë ndërtimin e konsensusit politik. Nuk është fjala vetëm për disa vende në parlament por për ndërtimin e një baze të fortë për ndryshimin në ekonomi që është e nevojshme.

Zëri i Amerikës: Uashingtoni dhe Brukseli i bënë zotit Kurti dhe Kosovës që negociatat me Serbinë të jenë përparësi për qeverinë e re. Presidentin Biden, i cili që më parë kishte thënë që negociatat duhet të bazoheshin në parimin e njohjes reciproke, e cila ishte një ndryshim nga administrata e mëparshme, e përsëriti një mesazh të tillë pas zgjedhjeve. Si mund të balancohet nga njëra anë ky pohim për njohje reciproke dhe nga ana tjetër fakti që për zotin Kurti përparësia kryesore është një Kosovë e fortë nga brenda?

Frank Wisner: Më lejoni të bëj një hap prapa dhe të theksoj diçka që është e qartë por e rëndësishme sepse unë besoj se ajo që po bën Presidenti Biden dhe ajo që do të shohim nën administratën e tij është në të vërtetë rikthimi tek politika tradicionale amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor dhe ndaj Kosovës.

Ne e kemi përkrahur pavarësinë e Kosovës. Ne u përpoqëm të krijonim mirëkuptim midis palëve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, midis Serbisë dhe fqinjëve të saj gjatë shumë viteve dhe pse?

Sepse ne besojmë se marrëdhënia e Shteteve të Bashkuara me Evropën është themeluar mbi parimin se Evropa do të jetë e bashkuar, e lirë dhe e sigurt dhe se ato çështje që ndajnë Evropën nga brenda do të adresohen dhe do të zgjidhen. Ndër ato çështje është padyshim Ballkani Perëndimor dhe Kosova dhe Serbia, të cilët janë ndër palët kryesorë me mosmarrëveshje.

Derisa të zgjidhen ato mosmarrëveshje, ëndrra e politikës amerikane për një Evropë të bashkuar të lirë dhe të sigurt, nuk mund të realizohet.

Kështu pa diskutim që me rikthimin tek politika tradicionale amerikane do të ndodhin dy gjëra: Së pari, ne do të fillojmë të ndjekim përsëri atë ëndërr, atë objektiv të paqes midis palëve të ndryshme në botë, në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe së dyti, ne do ta bëjmë këtë atë me një bashkëpunim dhe koordinim sa më të afërt të mundshëm me miqtë tanë në Evropë, me treshen e Evropës (Gjermani, Francë, Itali) me BE-në, sepse kjo është në fund të fundit pjesë e Evropës.

Mendoj se zoti Biden do të lërë Evropën të jetë në rolin drejtues dhe Shtetet e Bashkuara të jenë pjesëmarrëse dhe mbështetëse të forta, duke i dhënë Evropës gjithë mbështetjen e mundshme diplomatike, politike për të arritur objektiva që të jenë konstruktive për të gjithë Evropën, si dhe për Ballkanin.

Pra këtu do të jemi në kontekstin e gjerë tek rivendosjen e politikës tradicionale amerikane.

Të jeni të sigurt se Shtetet e Bashkuara do të argumentojnë në Bruksel, do të argumentojnë në Prishtinë dhe në Beograd se mosmarrëveshjet e së kaluarës duhen kapërcyer dhe duhen kapërcyer në bazë të respektit të ndërsjellë, të mirëkuptimit të ndërsjellë të respektit për sovranitetin e tjetrit, integritetit territorial. Ne shpresojmë që rezultati të jetë që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje dhe që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës dhe të bashkëjetojë në paqe me Kosovën.

Kjo është një ambicje afatgjatë, por kam besim se është parimi udhërrëfyes që do të ndjekin Shtetet e Bashkuara gjatë administratës së Presidentin Biden.

Zëri i Amerikës: Si i shihni rolet e SHBA-së dhe BE-së ndaj dy vendeve për të arritur në pikën e një marrëveshjeje?

Unë besoj se Beogradi dhe udhëheqja politike në Serbi e kuptojnë mirë atë që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa presin dhe urojnë që të bëjë Beogradi nëse do që të ketë një partneritet të zhvilluar plotësisht dhe të fortë me Evropën dhe me Shtetet e Bashkuara. Ata nuk e morën vesh dje këtë, e kanë ditur prej kohësh.

Unë nuk jam dakord me qëndrimin e tyre, por ata kanë arsyet e tyre se pse vazhdojnë të këmbëngulin që pavarësia e Kosovës nuk ka qenë kurrë legjitime.

Mendoj se bota e ka tejkaluar këtë, por mendoj se nëse ka një mundësi sot për të ecur përpara, ajo do të ishte jo që t’i tundësh gishtin Beogradit dhe t’i thuash se çfarë pasojash do të kenë nëse nuk mbajnë atë qëndrim që duam ne të tjerët, por ta argumentosh nga ana tjetër: çfarë të mira do të kishte Serbia nëse pranon atë rezultat në Ballkan që është i pashmangshëm, që pasqyron realitetin dhe që e fut Serbinë plotësisht në familjen Evropiane dhe Perëndimore, ku është vendi i natyrshëm i Serbisë nga ana kulturore dhe ekonomike.

Kështu që unë do të doja të shihja funksionimin e diplomacisë e cila të paraqesë stimujt, avantazhet, arsyet pozitive se pse Serbia duhet të veprojë, në vend që të mbash qëndrimin se me një lloj presioni, mund ta detyrosh Serbinë të bëjë gjëra që ajo nuk i ka bërë prej vitesh.

Zëri i Amerikës: Por tani me këtë lloj situate kur zoti Kurti thotë se negociatat nuk janë një përparësi, a mendoni se ato shanse zvogëlohen apo mendoni se ndoshta qëndrimi i zotit Kurti është që një Kosovë më e fortë së brendshmi e konsolidon pozicionin e saj edhe në tryezën e negociatave?

Frank Wisner: Mendoj se ka një arsye edhe më të rëndësishme ndërsa përpiqem të analizoj atë që thotë Kurti. Ai sheh gjendjen në Kosovë dhe shtron pyetjen se “çfarë duhet bërë që të funksionojë vendi ynë, që t’u jepet të rinjve tanë shpresë që ëndrra e tyre të mos jetë të shkojnë jashtë vendit dhe ta lënë Kosovën, çfarë duhet bërë që të kemi një qeveri të ndershme, të luftojmë korrupsionin, për t'u siguruar që institucionet e shtetit të Kosovës t’u shërbejnë nevojave të qytetarëve për atë që duhet bërë për t'u dhënë një shans ndërmarrjeve, bujqësisë, punësimit jo-bujqësor në mënyrë që të ketë mundësi reale për të rinjtë.

Nëse Kosova nuk është në gjendje të merret me problemet e saj, të ndërtojë shtetin e vet, të realizojë ëndrrën që donin kosovarët kur morën pavarësinë mbi një dekadë më parë, atëherë çfarë shansi ka Kosova të bëjë paqe përreth saj dhe me Serbinë?

Dhe po, mendoj se është e drejtë që sa më e fortë, sa më e begatë, aq më efektive do të jetë qeveria e Kosovës, aq më shumë ka të ngjarë që Serbia ta marrë Kosovën seriozisht.

Por përparësia e parë është konsolidimi i vendit, krenarisë kombëtare, ndjenjës së suksesit, në mënyrë që komuniteti i Kosovës të ketë shpresë tek e ardhmja dhe pastaj të shkojë tek çështja e normalizimit me Serbinë. Shpresoj që kjo të ndodhë paralelisht, por duke pasur parasysh tonin, të paktën si fillim mendoj se do të kemi një fokus tek forcimi brenda vendit para përpjekjeve jashtë vendit.

Zëri i Amerikës: Megjithatë kjo duket se është ndryshe nga mesazhi që po vjen nga Uashingtoni. A mendoni se mund të ketë një zhgënjim ose një fërkim me qeverinë e re nëse këto pozicione nuk përputhen përsa i takon kohës kur bëhen këto negociata?

Frank Wisner: Mendoj se kjo është një pikë mosmarrëveshjeje, por do të jetë një mospajtim i butë, i arsyeshëm.

Unë jam kritiku më i fortë i taktikave imponuese të administratës së kaluar amerikane. Kosova është një vend i pavarur ku udhëheqësit kanë të drejtë të marrin vendimet e tyre dhe të mos merren nëpër këmbë nga fuqitë e huaja përfshirë ata që i duan të mirën si Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë ne kemi këndvështrimin tonë. Ne do të donim të shihnim paqe në Ballkan dhe mirëkuptim mes shteteve të Ballkanit. Është plotësisht e arsyeshme që Kosova të zgjedhë të ndërtojë në vend njëkohësisht ose para se të punojë për marrëdhëniet me jashtë, por pa e stresuar marrëdhënien.

Unë nuk shoh ndonjë presion në lidhje me marrëdhënien. Vërtet dyshoj se administrata e Presidentit Biden do të përpiqet të përdorë ndikimin e saj në Kosovë për të arritur një objektiv të politikës amerikane, por arsyetimi, argumentat do të jenë pjesë e saj, pa u bërë burim mosmarrëveshjeje.

Zëri i Amerikës: Kur ju ishit negociator për statusin e Kosovës, pati nga ata që pavarësia e Kosovës ishte paracaktuar, ndërsa pala juaj tha se ishte një përfundimi i pashmangshëm. Tani 13 vjet më pas, a do të jetë sipas jush njohja e ndërsjellë pikënisja e bisedimeve apo negociatat do të fillojnë nga çështje më të vogla?

Fillimisht është e rëndësishme të mos harrojmë se cili është objektivi. Dhe objektivi është që të arrihet pajtimi në Ballkan nga brenda dhe nga jashtë, ndërmjet vendeve të tij dhe në harmoni me pjesën tjetër të Evropës që forcon pozicionin e përgjithshëm perëndimor dhe lidhjet trans-Atlantike që ne (SHBA) dhe Evropa gëzojmë. Ky është objektivi i madh. Kjo është ajo që duam të arrijmë. Që ta realizohet kjo, duhet të kapërcehen vështirësitë rajonale, dhe ajo mes Kosovës dhe Serbisë. PO ashtu është problemi i Bosnjës.

Dhe mënyra e vetme për t'u përballur me këto probleme, sipas gjykimit tim, është përpjekja për të dalë me një përfundim të ekuilibruar.

Por ai rezultat, ashtu si përkushtimi ndaj pavarësisë e Kosovës, duhet të bazohet në faktin se Kosova tani është një shtet sovran dhe i pavarur.

Me negociatat ne u përpoqëm të bënim të qartë se ky ishte objektivi përfundimtar, por se cila ekzaktësisht mund të ishte marrëdhënia mes Serbisë dhe Kosovës, kjo ishte diçka që mund të diskutohej mes tyre.

Serbia kishte logjikën e vet që zgjodhi të mos shkonte në atë rrugë, një logjikë për të ardhur keq nëse Serbia dëshiron të ketë qendrueshmëri përreth dhe të jetë pjesë e Evropës. Por ky vazhdon të jetë vizioni i Shteteve të Bashkuara dhe jam absolutisht i bindur që do të vazhdojë të jetë vizioni i administratës së zotit Biden.

Zëri i Amerikës: Ju folët pak për politikën e administratës së Presidentit Biden në Ballkan, rikthimin në një rol më tradicional. A e shihni këtë rikthim edhe në rajonin e Ballkanit, megjithëse Shtetet e Bashkuara përballen me shumë sfida globale?

Frank Wisner: Administrata e zotit Biden ka radhitur si përparësi kryesore rikthimin e forcës së aleancës perëndimore. Kjo është me të vërtetë një përparësi thelbësore. Sigurisht ka përparësi të tjera, si ndryshimet klimatike, çështja me rëndësi e fuqizimit të Kinës dhe politika amerikane ndaj Azisë, ka shumë përparësi.

Po ashtu edhe të drejtat e njeriut, janë një çështje me rëndësi.

Zëri i Amerikës: Rusia dhe Kina janë përpjekur të shtojnë ndikimin tek vendet e rajonit. Si e shihni rolin e Shteteve të Bashkuara si kundërpeshë ndaj këtij ndikimi?

Frank Wisner: Unë jam avokat shumë i fortë i bashkëpunimit dhe angazhimit ekonomik aktiv mes Evropës dhe Ballkanit, dhe Shteteve të Bashkuara dhe Evropës në Ballkan dhe një pranie të fortë sigurie në formën e detyrimeve të NATO-s për paqen dhe sigurinë e përgjithshme në rajon që është e lidhur me paqen dhe sigurinë e Evropës. Mendoj se ato janë shtylla thelbësore të politikës amerikane, dhe kam shumë besim se do të vazhdojnë të jenë të tilla nën këtë administratë dhe për këtë mund t’i siguroj miqtë e mi në Kosovë. Por u takon miqve të mi në Kosovë dhe qeverisë së saj së sapozgjedhur që të përcaktojnë se çfarë është në interesin e saj: Rindërtimi apo ndërtimi i një ekonomie, t’u japë njerëzve të saj shpresë, por arritja e paqes në rajon është gjithashtu përparësi të arsyeshme. Se si përcaktohet se kur dhe si zbatohen, janë vendime që duhet të merren nga udhëheqësit politikë në Kosovë.

Por unë e di se marrëdhënia midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, midis Prishtinës dhe Uashingtonit do të jetë më e fortë nëse Kosova është e angazhuar dhe energjike për t’u marrë me çështjet e brendshme që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe zhvillimin ekonomik dhe në të njëjtën kohë të ndërmarrë hapa atje ku ekzistojnë mundësitë për të krijuar një mjedisi më të sigurt ndërkombëtar dhe rajonal.

Zëri i Amerikës: Pas ciklit zgjedhor politik dhe asaj që ndodhi më 6 janar në Shtetet e Bashkuara, shpesh është shtruar pyetja nëse ka Amerika autoritet moral t’u flasë për demokracinë vendeve më pak të zhvilluara si ato të rajonit të Ballkanit?

Frank Wisner: Është një argument i drejtë, por unë kurrë nuk kam besuar se autoriteti moral donte të thoshte që njëra palë mund t'i diktonte një pale tjetër se cila është mënyra e duhur për të vepruar.

Unë besoj se kemi punë për të bërë brenda vendit për të forcuar demokracinë tonë. Besoj se demokracia është sistemi më i mirë ekzistues politik. Besoj se Kosova e sheh njëlloj, por se çfarë rruge do të ndjekë secili vend për të arritur objektivin e demokracisë, të drejtave të njeriut, respektimit të rezultatit është çështje tjetër, dhe kjo nuk do të thotë që ky vend ose ndonjë vend tjetër ka “autoritetin moral” për t'i thënë një vendi tjetër se si të jetojë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG