Lidhje

Mungojnë hollësitë mbi angazhimin amerikan ndaj nismës së vaksinave, COVAX


Administrata e Presidentit Biden njoftoi në janar se SHBA do të futen në COVAX, nisma globale e krijuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe grupe të tjera për të garantuar se vende me të ardhura të ulëta do të marrin vaksina kundër koronavirusit. Por Shtetet e Bashkuara nuk janë zotuar të ndihmojnë me fonde shtesë, përveç shumës prej 4 miliardë dollarësh që miratoi Kongresi në dhjetor. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara njofton:

Mungojnë hollësitë mbi angazhimin amerikan ndaj nismës së vaksinave, COVAX
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:40 0:00

Nisma globale për vaksinat kundër COVID-it, COVAX synon të shpërndajë brenda vitit 2021 dy miliardë doza për 92 vende me të ardhura të ulëta.

Kjo strategji synon të vërë nën kontroll me shpejtësi pandeminë, të shpëtojë jetë dhe të rikthejë në aktivitet ekonominë globale bazuar në parimet e të drejtave të njeriut për proporcionalitet dhe në provat epidemiologjike nga pandemia,” thotë Ann Lindstrand e OBSH-së.

Shtetet e Bashkuara u bashkuan me nismën COVAX më 21 janar, kur u rikthyen në OBSH. Presidenti Biden ritheksoi mesazhin të enjten:

"Jemi riangazhuar me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Në këtë mënyrë krijojmë një përgatitje më të mirë globale për t’iu kundërvënë COVID-it, si dhe të parandalojmë pandemitë në të ardhmen, sepse do të ketë edhe të tjera,” tha presidenti.

Presidenti Biden ndryshoi kurs nga pararendësi, i cili u tërhoq nga OBSH në korrik 2020.

Ata nuk realizuan reformat shumë të nevojshme që iu kërkua të bënin,” tha në atë kohë ish-Presidenti Trump.

Por administrata e Presidentit Biden nuk ka ofruar shumë hollësi për përmasat e angazhimit amerikan, përveç fondit prej 4 miliardë dollarësh që miratoi Kongresi në dhjetor për aleancën e vaksinave, Gavi, një ndër bashkëdrejtuesit e COVAX-it.

Kemi ritheksuar angazhimin tonë ndaj COVAX-it. Për sot nuk kam të dhëna të tjera për t’ju ofruar për fondet,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Për të përmbushur objektivat e tij, COVAX-i thotë se i duhen 4.9 miliardë dollarë përveç 2.1 miliardë dollarëve që ka grumbulluar deri tani. Kjo nismë ndeshet edhe me mungesa vaksinash pasi vendet më të pasura blejnë sasitë e prodhuara për popullatën e tyre.

COVAX-it i janë premtuar 40 milionë doza të vaksinës së Pfizer-BioNTech, por vetëm 1.2 milionë janë të disponueshme për tre-mujorin e parë të 2021.

I bëjmë thirrje çdo kompanie farmaceutike të prodhojë doza shtesë që të jenë të disponueshme sa më parë për të garantuar një shpërndarje proporcionale,” tha Seth Berkley i Aleancës së Vaksinave, Gavi.

Përveç vaksinave të Pfizer-BioNTech, COVAX-i do të shpërndajë 336 milionë doza të vaksinës AstraZeneca në gjashtë mujorin e parë të vitit.

Flitej për vaksina që ishin të disponueshme dhe ata filluan të bëjnë planifikime për shpërndarjen në vende të ndryshme. Nuk ka mbaruar ende procesi. Do të shohim një shtim të shpërndarjes të vaksinave nga COVAX-i që ka të ngjarë të mundësojë vaksinimin e 3% të popullatës, por me një objektiv edhe më të madh për 20% të popullatës,” thotë Dr. Bruce Gellin i Institutit të Vaksinave “Sabin”.

Ka shpresa që me këtë parashikim fillestar të COVAX-it vendet me të ardhura të ulëta të fillojnë hartimin e strategjive për vaksinim, përfshirë masat për magazinim, shpërndarje dhe fushatat për të luftuar rezistencën ndaj vaksinës.

XS
SM
MD
LG