Lidhje

Artisti Raif Hyseni me album të ri


Këngëtari dhe instrumentisti shqiptar, Raif Hyseni, ka nxjerrë një album të ri, që ai thotë se është një dhuratë për të gjithë dashamirët, pas një viti plot sfida të shkaktuara nga COVID-19. Ai dhe bashkëshortja e tij, këngëtarja Merita Halili, biseduan me gazetarin Burim Goxhuli. Ata tregojnë se si ishte për ta viti 2020 dhe se çfarë presin nga viti i ri.

Artisti Raif Hyseni me album të ri
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:35 0:00

Albumi “Raif Hyseni 24”, përmban 15 pjesë instrumentale, gjithsej 1 orë e 20 minuta muzikë e prodhuar me 24 instrumente të ndryshme.

Veprat e kompozitorit që prej shumë vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara vijnë pas bashkëpunimit të tij me 28 muzikantë të njohur nga vende të ndryshme të botës.

Raif Hyseni thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se secila këngë është frymëzim nga jeta e tij personale.

“Çdo kompozim është një lloj mesazhi i i përvojës sime, i jetës sime. Pasqyron të gjitha ato vende ku kam qenë dhe ku kam pasur një përvojë të ndryshme. I tillë është kompozimi 'Shqiptari në Japoni'. Kemi qenë për herë të parë atje të ftuar në një seminar në vitin 2000-2001 dhe kemi ngelur të mahnitur me pritjen e tyre dhe si shpërblim për mikëpritjen e tyre qoftë njerëzore dhe artistike u kisha premtuar se do të kompozoja një pjesë instrumentale, që quhet Shqiptari në Japoni”, thotë artisti.

Këngëtarja Merita Halili na tregoi për lidhjen e albumit me jetën personale të bashkëshortit.

“Është jeta jonë këtu në Amerikë, jeta gjatë gjithë këtyre turneve që kemi bërë në të gjithë botën dhe kjo si duket i ka dhënë atë shtytjen Raifit që të krijojë një pjesë nga një vend një pjesë nga një vend tjetër. Gjithmonë ka kujtimet, si çdo muzikantë tjetër, që i shpreh nëpërmjet notave”, thotë Merita Halili.

Raif Hyseni thotë se albumi vjen si një dhuratë për të gjithë ata që pëlqejnë muzikën e tij, pas një viti tejet sfidues nga pandemia.


“Të kaluarën nuk mund ta ndërrojmë. Unë gjithmonë jam optimist dhe gjithmonë shpresoj për gjëra të bukura. Unë kam dashur që popullit dhe artdashësve, të muzikës time, të muzikës tonë, jo vetëm shqiptare por të gjithë opinionit botëror t’u jap një dhuratë sado të vogël që ta harrojnë vitin 2020”, thotë artisti.

Merita Halili tregon se si ishte ky vit për artistët që gjithmonë kanë qenë afër publikut.

“Të gjithë patën frikën se çfarë po ndodh. Artistët gjithnjë gjejnë një moment për të shprehur ndjenjat e tyre nëpërmjet muzikës, ose shkrimeve. Por stres për artistin ka qenë se artisti do spektatorin ta ketë përballë, sepse vetëm kjo e ushqen shpirtërisht”.

Raif Hyseni mundohet të përqëndrohet në anët pozitive të kësaj periudhe.

“Duhet të shohim edhe anën pozitive sepse kemi patur mundësi që të shpenzojmë kohë së bashku unë me Meritën bashkë me vajzat tona. Kurrë më parë nuk kishim shpenzuar kaq kohë bashkë, si gjithë njerëzit e tjerë. Dhe pamë që ne e duam njëri tjetrin edhe më tepër sepse koha për të shkuar në punë, për studime dhe olbigime tjera të bën të harrosh se kush je”, shpjegon artisti.

Përveç mungesës së publikut, çiftit i mungon edhe vendlindja. Nga marsi i këtij viti ata nuk kanë patur mundësi të shkojnë në Shqipëri ose në Kosovë.

“Ne gjithmonë jetojmë me shpresën, jetojmë me kujtimet më të bukura prej vendeve nga vijmë. Sa herë që shkojmë në Kosovë dhe Shqipëri jemi sikur ato bateritë që mbushen, domethënë mbushen plot energji sepse ne prej atyre vendeve kemi ardhur, ato janë vendet tona”, thotë Raif Hyseni.

“Do kisha shumë dëshirë që kjo periudhë të kalonte sa më shpejt dhe të vijë 2021-shi me shumë gjallëri dhe të fillojë jeta nga e para ashtu siç njerëzit dëshirojnë të punojnë dhe të kontribuojnë për shoqërinë tonë”, shton Merita Halili.

Në pamundësi që të shkojnë në vendlindje, emrat e njohur të muzikës urojnë të gjithë shqiptarët për vitin e ri përmes këngës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG