Pandemia i ka detyruar amerikanët të gjejnë mënyra origjinale për të festuar këtë vit Krishtlindjen në rrethana sa më të sigurta përballë virusit. Siç shpjegon materiali në vazhdim, fryma e festës është shëndoshë e mirë në këtë periudhë krize. Korrespondjentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias njofton:
Michael Baker, ish-producent për programe televizive nuk mund ta lejonte që pandemia të ndalte traditën e prezantimit të shfaqjes teatrale “Këngë e Krishtlindjes”.
Ai gjeti një mënyrë që vetëm me dy aktorë ta vinte në skenë dramën e Dikensit, ndërsa personazhet e tjera sillen në jetë përmes projeksionit të imazheve.
“Skenografia realizohet përmes kompiuterit; çdo gjë është e integruar. Mendoni vetëm koston e skeletit prej druri që kemi kursyer këtë radhë,” thotë regjisori Baker.
Në sallë lejohen vetëm 46 spektatorë për çdo shfaqje në teatrin “Little Theater” të Aleksandrias në Virxhinia. Maskat janë me detyrim për të gjithë. Një shfaqje në ambjent të mbyllur nuk është pa rrezik, por Karen Tolusic që ka ardhur me djalin 6-vjeçar shpreh besim tek masat që po zbatohen.
“Për mua është me rëndësi që realizohen aktivitete të tilla, të cilat na japin mundësi të marrim pjesë në argëtimet e festave,” thotë zonja Tolusic.
Koronavirusi i ka detyruar zyrtarët lokalë të anulojnë aktivitete tradicionale si Parada e Përvitshme e Krishtlindjes në Aleksandria.
Këtë vit ceremonia e ndezjes së dritave të bredhit u zhvillua përmes internetit.
Por shumë shfaqje që mund të ndiqen me kompiuter nga shtëpia, shumë prej tyre për fëmijë, po e mbajnë gjallë frymën e Krishtlindjes.
“Realizimi e gjen frymëzimin tek ideja e kënaqësisë që na jep shoqërimi me ata me të cilët zihemi, si për shembull me familjen. Po ashtu roli që kanë kujtimet për të ruajtur gjallë gëzimin dhe kuptimin e Krishtlindjeve që kemi kaluar,” thotë Chrsitopher Richardson, realizues i një emisioni argëtues.
Krishtlindja pa këngët tradicionale e muzikën festive është e pakuptimtë, por në këto kushte muzikantëve dhe organizatorëve u është dashur t’i modifikojnë interpretimet në mjedise të hapura.
“Zakonisht nuk japim koncerte jashtë në mes të të ftohtit. Por jemi përshtatur: kemi blerë karrige për përjashta dhe ngrohëse ambjenti,” thotë Neeta Helms, Presidente e organizatës “Classical Movements”.
Në gjashtë muajt e fundit, 1500 vetë kanë ardhur për të ndjekur 40 koncerte me muzikë klasike në kushte të distancimit fizik.
Robert Rearden thotë se i mungon interpretimi në një sallë koncertesh me Orkestrën Simfonike Kombëtare, por megjithatë i vlerëson përpjekjet që po bëhen për të mos lejuar përhapjen e infeksionit.
“E ndjej që po përcjell të njëjtën ndjesi, edhe kur njerëzit janë 2, 3 apo 5 metra larg. Ka plot raste kur kjo po realizohet pa vënë në rrezik shëndetin e askujt, gjë që e bën këtë një eksperiencë shumë të këndshme,” thotë zoti Rearden.