Lidhje

Gjykata Kushtetuese rrëzon qeverinë e Kosovës – vendi në zgjedhje


Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshëm votimin e qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Avdullah Hoti ndërsa kërkoi nga presidenti i vendit të shpall zgjedhjet jo më larg se 40 ditë nga data e shpalljes së tyre

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pasoi kërkesën e lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e ligjshmërisë së pjesëmarrjes në votim për qeverinë e udhëhequr nga Lidhja Demokratike të deputetit Etem Arifi, i cili ishte i dënuar me 1 vjet e 3 muaj heqje lirie për “mashtrim me subvencione”.

Qeveria e zotit Hoti u miratua me 61 vota në parlamentin me 120 vende, minimumi i mundshëm për konfirmimin e një qeverie të Kosovës, e cila ka nevojë vetëm për një votë më shumë se 50 për qind për t'u miratuar.

Pa votën e zotit Arifi, ky minimum nuk do të ishte arritur.

Në vendimin e gjykatës Kushtetuese thuhet se personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet dhe as të fitoj mandat të vlefshëm në Parlamentin e Kosovës.

“Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës;IV”. TË KONSTATOJË se, marrë parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre;V. TË KONSTATOJË se, ky Aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe mbështetur në parimin e sigurisë juridike vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, thuhet në vendimin e gjykatës Kushtetuese.

Deputeti Etem Arifi, në prill të vitit 2018, ishte dënuar me dy vjet burgim, për përvetësimin e rreth 26 mijë eurove. Dënimi i zotit Arifi, ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit, të datës 20 gusht 2019, me të cilin dënimi me burgim ishte ulur në një vit e tre muaj.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.

Por, me gjithë dënimin e formës së prerë, zoti Arifi votoi në dy seanca të rëndësishme të parlamentit të Kosovës, meqë gjykata i miratoi dy kërkesat e tij për shtyrje të ekzekutimit të dënimit për, siç thuhej, shkaqe shëndetësore.

Në seancën e parlamentit më 25 mars ai votoi në mbështetje të mocionit të mosbesimit të ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës që çoi në rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

Zoti Arifi më 3 qershor votoi në favor të ngritjes së qeverisë së re të kryeministrit Avdullah Hoti.

PDK mirëpret vendimin e Kushtetueses

Partia Demokratike e Kosovës mirëpriti vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke theksuar se koalicioni aktual qeverisës, tash e disa muaj nuk e ka shumicën parlamentare për ta kaluar asnjë ligj dhe ka bllokuar funksionimin normal të institucioneve shtetërore.

Në një reagim të kësaj partie thuhet se që nga 6 tetori i vitit të kaluar, shumica e partive politike “manipuluan me vullnetin e qytetarëve duke injoruar atë dhe duke pasur prioritet vetëm interesat e ngushta partiake. Përfundimisht, edhe sonte u vërtetua se “koalicioni i shpresës” që doli nga zgjedhjet e 6 tetorit ishte mashtrimi më i madh që iu bë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pasojat e të cilit po i vuajmë të gjithë për më shumë së një vit”, thuhet mes tjerash në reagimin e kësaj partie.

Ditëve në vazhdim pritet që ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani të zhvillojë këshillime me partitë politike për të caktuar datën e zgjedhjeve të reja.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG