Departamenti i Drejtësisë po i bën jehonë suksesit të tij me "Nismën Kineze", duke thënë se ka shënuar "progres të konsiderueshëm" në kundërpërgjigjen dhe parandalimin e përpjekjeve kineze për të dëmtuar sigurinë ekonomike e kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Në një deklaratë të hënën, ndërsa u shënua përvjetori i dytë i të ashtuquajturës Nisma Kineze, Prokurori i Përgjithshëm William Barr tha se departamenti ka bërë "hapa të jashtëzakonshëm" për t'iu kundërpërgjigjur kërcënimit kinez.
"Ndërsa mbetet ende shumë punë për t'u bërë, departamenti është i përkushtuar që të vendosë përpara përgjegjësisë ata që do të vidhnin, ose do të siguronin në mënyrë të paligjshme, kapitalin intelektual amerikan", tha zoti Barr.
Nisma Kineze u themelua në nëntor të 2019 nga Prokurori i Përgjithshëm i atëhershëm Jeff Session, i cili në atë kohë tha se: "ne e shohim spiunazhin kinez jo vetëm duke u zhvilluar kundër objektivave tradicionale, si agjencitë tona të mbrojtjes dhe zbulimit, por edhe kundër objektivave të tilla si laboratorët kërkimore dhe universitetet. Ne e shohim propagandën kineze të shpërndarë në kampuset tona", tha ai. Qëllimi i iniciativës ishte të rriste hetimin dhe ndjekjen penale nga ana e Departamentit të Drejtësisë ndaj përpjekjeve kineze të kësaj natyre.
Nën prokurorin aktual të përgjithshëm William Barr, Departamenti i Drejtësisë ka angazhuar burime shtesë në këtë përpjekje. Në korrik, Drejtori i FBI-së Christopher Wray tha se byroja po trajtonte rreth 2500 raste kundër-zbulimi të lidhura me Kinën.
"Vjedhja e sekreteve dhe teknologjisë nga ana e Partisë Komuniste Kineze nuk është një thashethem apo një akuzë e pabazë, por është një gjë shumë reale dhe pjesë e një fushate të koordinuar nga qeveria kineze, të cilën Nisma Kineze po ndihmon për ta ndaluar", tha drejtori i FBI-së Christopher Wray në një deklaratë.
FBI-ja, shtoi zoti Wray, në çdo 10 orë hap një çështje të re mbi Kinën bazuar në informacionet e kundër-zbulimit. Ai shtoi se: "ne do të vazhdojmë me përpjekjet tona agresive për t'iu kundërvënë aktivitetit kriminal të Kinës".
Retorika e ashpër vjen ndërsa janë rritur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për një varg çështjesh përfshirë pandeminë e koronavirusit, sovranitetin e Hong Kongut dhe qasjen ushtarake të Pekinit në Detin e Kinës Jugore.
Në janar Presidenti Donald Trump negocioi fazën e parë të një marrëveshje tregtare me Kinën. Por menjëherë më pas, me përhapjen e koronavirusit nga Wuhani i Kinës, zoti Trump ka qenë tejet i ashpër ndaj Pekinit, duke e fajësuar atë për eksportim të virusit në SHBA. Zyrtarët amerikanë thonë se spiunazhi ekonomik i Kinës dhe vjedhja e sekreteve tregtare amerikane është pjesë e ambicies së saj për të zëvendësuar SHBA-në si superfuqi e vetme në botë. Ekspertët bien dakord se Kina është përfshirë në aktivitete të paligjshme për të zhvilluar ambicjet e saj globale, duke filluar nga spiunazhi ekonomik tradicional dhe sulmet kibernetike, tek mbështetja tek "mbledhësit jo-tradicionalë" të informacioneve të zbulimit, siç janë akademikët.
Departamenti i Drejtësisë thotë se përqëndrimi i Nismës Kineze tek institucionet akademike përfshin rritjen e ndërgjegjësimit në lidhje me kërcënimin kinez si dhe ndjekjen penale të studiuesve që kanë fshehur lidhjet e tyre me qeverinë kineze. Kritikët thonë se nisma ka përfshirë studiuesit që nuk kanë qenë të lidhur me zbulimin kinez.
"Shumë nga këto raste duket se janë njerëz që marrin të ardhura nga dy burime e që nuk i raportojnë ato", thotë Donald Clarke, profesor i drejtësisë në Universitetin George Washington. "Por kjo nuk lidhet domosdoshmërisht me një program të mbledhjes së informacioneve të zbulimit nga kinezët”, siç thotë ai.
Ish-sekretari amerikan i Energjisë Steven Chu tha se ndërsa Kina është padyshim e angazhuar në "spiunazh tejet të thellë industrial", talentet kineze po dëbohet nga institucionet amerikane për shkak të "veprimeve apo qasjes së qeverisë amerikane".
"Kjo nuk është e vërtetë vetëm për akademikët, por edhe për njerëzit e përfshirë në industrinë e teknologjisë së lartë", thotë zoti Chu, një laureat i çmimit Nobel dhe profesor i fizikës në Universitetin e Stanfordit, gjatë një seminari të zhvilluar së fundmi mbi Nismën Kineze.
"Një pjesë e madhe e stafit që po krijohet në universitete dhe në industrinë amerikane vjen realisht nga emigrantët kinezë", thotë ai.
Në shtator SHBA-ja u revokoi vizat më shumë se 1.000 studentëve të diplomuar dhe studiuesve kinezë me lidhje të dyshimta me ushtrinë kineze.
Administrata Trump thotë se studentët kinezë kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara për të vjedhur pronën intelektuale si dhe për të avancuar sektorët ekonomikë dhe ushtarakë kinezë.
Zyrtarët amerikanë të zbatimit të ligjit këmbëngulin se Nisma Kineze nuk synon shtetasit kinezë apo kinezo-amerikanët. Në një fjalim në Institutin Hudson në korrik, drejtori i FBI-së Wray, tha se "kur flas për kërcënim nga Kina, nënkuptoj qeverinë kineze dhe Partinë Komuniste Kineze".
Në një deklaratë, Departamenti i Drejtësisë identifikoi sektorin akademik si "një nga më të ndjeshmit sepse tradita e saj e hapjes dhe rëndësia e shkëmbimeve ndërkombëtare për rrjedhën e lirë të ideve, e bëjnë atë të dobët përballë mundësive për t’u shfrytëzuar nga Kina".
Vitin e kaluar, prokurorët amerikanë ngritën një shumëllojshmëri akuzash penale kundër 10 akademikëve të lidhur me institucionet kërkimore amerikane, tre prej të cilëve u dënuan, sipas Departamentit të Drejtësisë.
Disa ishin rekrutuar nën programin kinez të quajtur "Një mijë talentë" i cili synon të avancojë zhvillimin ekonomik dhe ushtarak të Kinës duke inkurajuar transferimin e ekspertizës teknike nga SHBA-ja e kombe të tjera të zhvilluara, sipas Departamentit të Drejtësisë.
Facebook Forum