Izraelitët ndoqën rezultatet e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara pothuajse me aq vëmendje sa vetë amerikanët. Ndërsa tre të katërtat e komunitetit hebre në Amerikë votoi për demokratin Biden, sondazhet treguan se tre të katërtat e hebrenjve izraelitë dëshironin fitoren e Presidentit Trump.
Yoram Issachar dhe familja e tij janë mbështetës të flaktë të zotit Trump. Por ai nuk e priti mirë njoftimin në televizionin izraelit për fitoren e zoti Biden.
“Trump ishte i mirë për Amerikën dhe për Lindjen e Mesme. Ai punoi kundër të gjithë armiqve të Izraelit dhe i dha shumë Izraelit. Ishim në gjendje të vazhdonin ndërtimet në vendbanimet në Bregun Perëndimor, çfarë nuk ndodhi gjatë Obamës.”
Edhe izraelitë të tjerë, sikurse familja Fried që u zhvendos kohët e fundit nga Kalifornia, i ndoqën nga afër rezultatet e zgjedhjeve amerikane.
“Joe Biden është më njerëzor, më i përkushtuar për të udhëhequr Amerikën, që duket qartë se është e ndarë dhe në mënyrë të dëshpëruar ka nevojë për udhëheqje. Kam shumë frikë se Biden do t’i bëjë presion Izraelit për çështjen palestineze. Zgjidhja duhet të vijë nga izraelitët dhe palestinezët.”
Banorët e qytetit palestinez Ramallah u shprehën të lehtësuar që zoti Trump, të cilin e konsideronin si mbështetës të plotë të Izraelit, po largohet nga drejtimi. Por pritshmëritë ishin të vogla që Biden të bëjë ndonjë gjë për të ndihmuar palestinezët. Naim Fawzi është palestinez nga qyteti Ramallah.
“Politika e Trumpit ishte e qartë, ai ishte me shpirt dhe zemër pro Izraelit dhe veproi siç donte Izraeli. Mendoj se edhe Biden do të bëjë çfarë do Izraeli por poshtë tryezës.”
Zoti Biden ka thënë se nuk do të ndryshojë lëvizjen e ambasadës amerikane në Jeruzalem, siç kërkon udhëheqja palestineze. Por ai mund të ndryshojë drejtimin e politikës së jashtme për Lindjen e Mesme, sipas ish ambasadorit amerikan në Izrael Dan Kurtzer.
“Sigurisht që administrata Biden mund të zhbëjë disa nga politikat dhe aktivitetet problematike të ndërmarra nga administrata Trump. Nuk mendoj se ambasada amerikane do zhvendoset jashtë Jeruzalemit. Administrata mund ta rikthejë Jeruzalemin në tryezën e bisedimeve duke thënë se pranon që palestinezët do të kenë një kryeqytet në Jeruzalemin Lindor, sapo të kenë një shtet.”
Analistët izraelitë theksojnë një tjetër çështje të debatueshme të Presidentit të zgjedhur Biden për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore me Iranin, një veprim që kundërshtohet nga Izraeli. Eytan Gilboa është profesor në Universitetin Bar-Ilan.
“Mund të ketë një raund tjetër fërkimesh mes Izraelit dhe Amerikës lidhur me çështjen e Iranit. Biden ka thënë se do të donte të negocionte me Iranin një marrëveshje të re bërthamore, për të zëvendësuar atë që nënshkroi Obama në 2015. Është një çështje e ngutshme që nuk mund të lihet menjanë, sepse Irani po shkel marrëveshjen e vitit 2015 dhe po pasuron uranium me një ritëm të shpejtë.”
Kryeministri izraelit Netanyahu ka qënë gjithmonë i afërt me Presidentin Trump, kryesisht për çështjen e Iranit dhe konfliktin izrealito-palestinez.
Ndërsa ai e pranoi miqësinë 40-vjeçare të zotit Biden me Izraelin në mesazhin e urimit, Netanyahu dhe izraelitët e tjerë mund ta gjejnë veten në kundërshtim me politikat e zotit Biden për këto çështje thelbësore.
Facebook Forum