Autoritetet shëndetësore amerikane po dekurajojnë zhvillimin e aktiviteteve tradicionale të Hallouinit për të parandaluar përhapjen e COVID19. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias, vizitoi një lagje në Virxhinian Veriore ku banorët po gjejnë mënyra të tjera për të mbajtur gjallë këtë traditë.
Çfarë pëlqen më shumë për Hallouin 4 vjeçarja Ema Mink dhe motra e saj Sofi?
“karamelet!!!
Motrat jetojnë në një lagje të Virxhinias, e famshme për dekorimet drithëruese dhe konkurset e kostumeve. Këtë vit megjithatë, COVID-19 ka kërcënuar të largojë argëtimin e shkuarjes derë më derë për të mbledhur karamele.
“Ende jemi duke menduar çfarë aktivitetesh të bëjmë. E dimë që njerëzit po shkurajohen të festojnë”, thotë Noah Mink, banor në lagjen Del Ray.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve paralajmëroi se aktivitetet tradicionale të Hallouinit, në të cilat distancimi fizik është i vështirë, mund të përhapin virusin.
Zyrtarët e shëndetësisë po inkurajojnë qasje krijuese për të ulur rrezikun.
"Dekorimi i banesës ose shtëpisë, gdhendja e një kungulli janë aktivitete të pranueshme. Nëse njerëzit vërtet dëshirojnë të japin karamele, një mënyrë është paketimi i tyre në pako individuale dhe vendosja në oborrin e shtëpisë”, thotë Stephen Haering, drejtor i Departamentit të Shëndetësisë në qarkun e Aleksandrisë.
Sipas Federatës Kombëtare të Shitjeve me Pakicë, amerikanët shpenzuan 8.8 miliardë dollarë vitin e kaluar për festën e Hallouinit. Shoqata Kombëtare e ëmbëlsirave thotë se shitjet janë rritur 13% këtë vit. Edhe shitjet e kostumeve janë rritur, thotë kjo shoqatë.
Por tregtarët vendas janë goditur. Rreth 200 biznese në lagjen Del Ray janë dëmtuar nga anulimi i ngjarjeve të rregullta të komunitetit për këtë festë. Përfshi paradën e famshme të kostumeve.
"Kur sjell 10,000 njerëz në një zonë të vogël, jo vetëm që restorantet përfitojnë nga ata që vijnë së pari për të ngrënë mëngjes, por njerëzit që kurrë nuk e dinin se ato biznese ekzistonin, pasi ecin përgjatë rrugës, shohin dyqane dhe biznese që fillojnë ti frekuentojnë më vijim", thotë Gayle Reuter me Shoqatën e Biznesit në Del Ray.
"Është situatë e vështirë. Të gjithë duan të dalin jashtë dhe të bëjnë aktivitetet tradicionale. Por derisa situata të jetë nën kontroll, mendoj se është më mirë të mbajmë anën e sigurisë”, thotë Travis Davis, menaxher në Picerinë Del Ray.
Për të mbajtur frymën lart, disa dyqane po organizojnë lojra ndërsa aktivitete të tjera janë bërë virtuale, përfshi konkursin për shtëpinë e dekoruar më mirë. Shtëpia e Emës është një nga pretendentët. Vëmendja është gjithmonë e mirë, por familja po i jep prioritet sigurisë në radhë të parë.
“Ka disa njerëz që vijnë në oborr me familjet e tyre, dhe për ne nuk ka problem, për sa kohë që respektojnë distancimin”, thotë Noah Mink.
Me masat e tjera të sigurisë, argëtimi i frikshëm i Hallouinit këtë vit premton të mbetet gjallë.
Facebook Forum