Reklamat e fushatës së zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara në televizione dhe rrjetet sociale vënë në shënjestër votuesit përmes mesazheve të krijuara posaçërisht për platformat e ndryshme.
Qofshin nga Presidenti Donald Trump ose nga ish Nënpresidenti Joe Biden, reklamat elektorale i gjen në çdo kanal televiziv dhe rrjete sociale.
“Reklamat synojnë të bindin votuesit, t’u ndryshojnë atyre zemrat dhe mendjen”, thotë njohësja e fushës Jennifer Stromer-Galley.
Jennifer Stromer-Galley është profesore në Shkollën e Studimeve të Informacionit në Universitetin Syracuse.
Ajo drejton programin që analizon reklamat presidenciale në Facebook dhe Instagram.
“Reklamat përdoren në rrjete sociale për të mbledhur fonde, për të gjetur votues dhe gjithashtu për të krijuar një pamje më të qartë se çfarë i kënaq më shumë mbështetësit e tyre” thotë zonja Stromer-Galley.
Zonja Stromer-Galley thotë se kampet elektorale prodhojnë reklama të ndryshme për rrjete sociale, për të parë se çfarë tërheq më shumë votuesit.
“Ata japin qindra variante të një reklame për të parë se cili mesazh ka ndikim tek votuesit. Reklamat që marrin më shumë vëmendje dhe klikime, rishfaqen në faqen e kandidatëve”, thotë zonja Stromer-Galley.
Pasi të keni klikuar në një reklamë fushate, fillon grumbullimi i të dhënave personale.
“Sa më shumë të dhëna që ata mbledhin nga ju, aq më mirë mund të përshtasin përmbajtjen me informacionet tuaja. Nëse ende nuk e kanë emrin tuaj në listat e tyre, ata fillojnë krijimin e profilit tuaj ku parashikohet nëse do të votoni ose jo në ditën e zgjedhjeve dhe se çfarë mesazhe duhet t’ju dërgojnë në Facebook që t’ju bindin të votoni ose të përfshiheni”, thotë ajo.
Në vend të “thirrjeve për veprim”, reklamat televizive në përgjithësi përqëndrohen në karakterin, mënyrën e udhëheqjes dhe politikat e kandidatit.
“Për shembull, kam vërjetur se fushata e zotit Trump mendon se çështja e karburanteve nga fosilet, e cila shihet si çështje kryesore politike që dallon republikanët me demokratët, po tërheq vëmendje. Prandaj kjo është tema që ata do të reklamojnë duke shpesuar që të shtohet numri i njerëzve që kanë interes në këtë temë”, thotë analisja Jennifer Stromer-Galley.
Zonja Stromer-Galley thotë se reklamat e Presidentit Trump dallojnë nga ato të zotit Biden.
“Në reklamat e tij, ai flet më shumë për çështje të caktuara. Joe Biden po garon me reklama kundër zotit Trump. Prandaj nuk e shohim shumë duke folur gjatë për politikat dhe temat e caktuara në reklamat e fushatës së tij”, thekson ajo.
Reklamat në rrjete sociale kushtojnë shumë më pak se sa ato në televizione. Sipas analistëve të projektit Wesleyan, zoti Trump ka rreth 22 për qind më shumë reklama në rrjetet sociale se sa rivali i tij, ndërsa zoti Biden ka 28 për qind më shumë reklama në televizione se zoti Trump.
Facebook Forum