Drejtori në detyrë i Zërit të Amerikës duhet të shmangë çdo përpjekje nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale (USAGM) “për të ndërhyrë në mënyrë të parregullt” në punën e Zërit të Amerikës, tha të hënën Kryetari i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel.
Deklarata e tij erdhi si reagim ndaj akuzave, të raportuara të dielën nga Radio Kombëtare Publike (NPR), se zyrtarë të USAGM-it kanë përpiluar një dosje për korrespondentin kryesor të Zërit të Amerikës që mbulonShtëpinë e Bardhë, Steve Herman. Në njoftimin e ligjvenësit Engel gjithashtu citohet një memorandum të lëshuar nga Drejtori Ekzekutiv i USAGM-it, Michael Pack, në lidhje me rishikimin e rregullores së brendshme të USAGM për mediat sociale.
Zoti Pack mori në qershor drejtimin e USAGM-it, agjensisë globale që mbikqyr Zërin e Amerikës dhe katër organizata të tjera të mediave ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara. Ai shkarkoi krerët e të katër organizatave të lajmeve dhe emëroi si drejtor në detyrëtë Zërit të Amerikës, zotin Elez Biberaj.
“Veprimi më i fundit i shtohet historikut alarmues (të zotit Michael Pack) me sjellje të papërshtatshme dhe hakmarrëse, që kur filloi detyrën e drejtorit ekzekutiv në qershor”, thuhet në deklaratën e zotit Eliot Engel, ligjvënës demokrat nga shteti i Nju Jorkut.
Ligjvënësi republikan, Michael McCaul, nënkryetar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se po shqyrtonte njoftimet se të emëruar politikë kanë hetuar një gazetar të Zërit të Amerikës.
“Nëse është e vërtetë, kjo është shumë shqetësuese dhe ndoshta e paligjshme”, the republikani nga Teksasi, në një deklaratë të dërguar Zërit të Amerikës të hënën. “Mbetem shumë i shqetësuar me situatën në USAGM dhe organizatat e saj si OTF-ja, nën mbikqyrjen e Drejtorit Ekzekutiv Pack”.
Memorandumi i cituar nga ligjvënësi Engel iu dërgua me email të dielën stafit të Zërit të Amerikës, Zyrës së Transmetimeve në Kubë, Radios Evropa e Lirë / Radio Liria (RFE/RL), Radios Azia e Lirë (RFA), si dhe Rrjeteve të Transmetimit në Lindjen e Mesme. Dokumenti fokusohej tek konflikti i interesit dhe rasteve kur, për shkak të tij, gazetarët duhet të tërhiqen nga mbulimi i një ngjarjeje.
Memorandumi thotë se për të mbrojtur besueshmërinë e agjensisë dhe stafit të saj, gazetarët duhet të “qëndrojnë neutralë dhe objektivë” në të gjitha hapësirat publike, përfshirë në mediat sociale dhe se gazetarët, të cilët mund të jenë direkt të prekur nga një vendim i qeverisë, duhet të shmangen nga mbulimi i çështjes në fjalë.
Memorandumi përfshinte skenarë ku përshkruhen rastet kur gazetarët duhet t’i shmangen raportimit për tema të caktuara. Një shembull thoshte se “një gazetar, i cili në Facebook që i bën ‘like’ një komenti, apo një karikature që sulmon në mënyrë agresive ose denigron presidentin, duhet të tërhiqet nga mbulimi mediatik i presidentit”.
Një zëdhënës i USAGM-it u shpreh përmes një email-i se agjensia dhe rrjetet e saj “kanë patur prej kohësh rregulla ndaj konfliktit të interesit të gazetarëve dhe përdorimin prej tyre të mediave sociale”.
“Këto politika u hartuan dhe promovuan nga pararendësit e Drejtorit Ekzekutiv Pack, dhe Drejtori Ekzekutiv e ka bërë të qartë se ato do të zbatohen”, tha zëdhënësi.
Zëdhënësi tha se agjensia nuk do të komentojë rreth raportimeve për një hetim për zotin Herman. “(Çështja) përfshin rrjedhje të informacionit konfidencial. Kjo është një çështje e menaxhimit të brendshëm të Zërit të Amerikës dhe po trajtohet nga drejtuesit e Zërit të Amerikës”, tha zëdhënësi.
Deri ditën e hënë, agjensia nuk u kishte komunikuar gazetarëve të saj nëse do të zbatoheshin udhëzimet e reja dhe se si ata do të ndikonin raportimet e rrjetit të transmetimeve. Një variant i rishikuar i udhëzimeve për mediat sociale nuk ishte publikuar ende në faqen e saj të internetit.
Në një deklaratë në orët e vona të së hënës, zoti Biberaj tha se të gjithë gazetarët e Zërit të Amerikës duhet të zbatojnë politikën për mediat sociale të Zërit të Amerikës, të paraqitur në Manualin e Praktikave më të Mira, dhe se Zëri i Amerikës i trajton rastet e shkeljeve të mundshme në përputhje me politikat e saj dhe ligjet federale.
“Pavarësia e Zërit të Amerikës, integriteti dhe besueshmëria e raportimeve tona janë të një rëndësisë madhore. Gjithçka që mund ta rrezikojë këtë – qoftë mungesa e objektivitetit, apo shkelja e rregullave që mbrojnë gazetarët nga ndërhyrjet politike, është në shkelje të vlerave tona”, tha zoti Biberaj. “VOA e konsideron krejtësisht të papranueshme çdo shkelje të rregullave që mbrojnë gazetarët nga ndërhyrjet politike, apo çdo sulm ndaj pavarësisë së saj gazetareske”.
Deklarata e zotit Engel e cilëson memorandumin për mediat sociale dhe raportin e përpiluar për korrespondentin e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, si përpjekje të mëtejshme që shkelin mbrojtjen e gazetarëve nga ndërhyrjet politike, të sanksionuar me ligj.
NPR njoftoi se dy këshilltarë të lartë në zyrën e Drejtorit Ekzekutiv të USAGM-it, përpiluan një raport të brendshëm mbi gazetarin Herman ku aludohet se raportimet e tij dhe postimet e tij në mediat sociale dëshmojnë për njëanshmëri ndaj Presidentit Donald Trump.
Zoti Herman është një prej mbi 40 gazetarëve dhe ish-gazetarëve të Zërit të Amerikës, të cilët nënshkruan një letër drejtuar zotit Biberaj, drejtorit në detyrë të Zërit të Amerikës, për ndryshimet në personel dhe komentet që kishte bërë zoti Pack gjatë një interviste.
Zëri i Amerikës nuk ka ndryshuar detyrat e caktuara për zotin Herman, të cilat përfshijnë mbulimin e Shtëpisë së Bardhë dhe të fushatave për zgjedhjet presidenciale.
Komentet e ligjvenësve McCaul dhe Engel erdhën pasi ata, dhe anëtarë të tjerë të komisionit, ngritën shqetësime në një seancë dëgjimore më 24 shtator për ndryshimet që zoti Pack ka bërë në USAGM që nga qershori. Zoti Pack përmendi një përplasje në axhendë dhe nuk shkoi për të dëshmuar gjatë seancës dëgjimore në Kongres.
Facebook Forum