Ligjvënësit amerikanë janë takuar këtë javë me të emëruarën e Presidentit Donald Trump për në Gjykatën e Lartë, Amy Coney Barrett, e cila do të plotësonte vendin e mbetur bosh nga vdekja e gjykatëses Ruth Bader Ginsburg. Nëse konfirmohet, zonja Barrett do të ketë një ndikim kritik në vendimet e gjykatës për një sërë çështjesh me rëndësi në Shtetet e Bashkuara, që nga aborti dhe kujdesi shëndetësor, e deri tek zgjedhjet presidenciale të këtij nëntori. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson njofton.
Beteja historike lidhur me konfirmimin e gjykatëses federale amerikane Amy Coney Barrett filloi këtë javë në Kongres ndërsa republikanët e Senatit u takuan dhe vlerësuan nënën e shtatë fëmijëve, të emëruar nga Presidenti Donald Trump në fund të muajit të kaluar.
"Presidenti Trump ka emëruar një njeri të shkëlqyer ashtu siç e meritojnë amerikanët të kenë në gjykatën e tyre më të lartë", tha udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell.
Vdekja e gjykatëses liberale Ruth Bader Ginsburg e lë Gjykatën e Lartë amerikane me tetë anëtarë vetëm disa javë para ditës së zgjedhjeve. Republikanët argumentojnë se pa zonjën Barrett në gjykatë, ekziston rreziku që ajo të jetë e ndarë në mënyrë të barabartë dhe të mos jetë në gjendje të vendosë për ndonjë konflikt mbi zgjedhjet presidenciale.
"Kjo do të krijonte një krizë konstitucionale dhe është pjesë e arsyes që Senati ka nevojë të veprojë, dhe të veprojë me shpejtësi, në mënyrë që të kemi nëntë gjyqtarë që mund të zgjidhin çdo çështje", tha senatori Ted Cruz.
Por demokratët thonë se kjo është pikërisht arsyeja që zonja Barrett nuk duhet të konfirmohet.
"Demokratët po i bëjnë presion që ajo të heqë dorë vetë edhe nëse zgjidhet, duke qenë se zonja Barrett u emërua nga dikush që do të jetë në fletët e votimit dhe për të cilin ajo mund të vendosë për ta mbajtur në pushtet ose për ta hequr nga pushteti", thotë analisti Casez Bugat.
Nëse konfirmohet, zonja Barrett do të dëgjonte gjithashtu menjëherë argumentat për një çështje të rëndësishme që vendos ligjshmërinë e Aktit të Kujdesit të Përballueshëm - programi që zgjeron qasjen tek sigurimi shëndetësor i miratuar gjatë administratës së presidentit Obama.
"Kjo është një çështje serioze për 20 milionë amerikanë që mund të humbasin sigurimin e tyre shëndetësor. Nëse programi shfuqizohet, ai do të ketë pasoja serioze për prindërit e një fëmije që ka kancer, të cilët do të duhet të shohin pa bërë dot asgjë tek fëmija e tyre vuan i pambrojtur nëse nuk mbulohen problemet shëndetësore ekzistuese", tha udhëheqësi i pakicës Chuck Schumer.
Republikanët argumentojnë se programi është i padrejtë për shumë amerikanë, ndërsa plani i tyre ende i pa publikuar do të mbulonte probleme shëndetësore ekzistuese. Zonja Barret, 48-vjeç mund të shërbejë për dekada të tëra në gjykatë, duke marrë vendime të rëndësishme që do të ndikojnë në jetët e votuesve të rinj si Sean Yetter.
“Unë nuk jam një adhurues i madh i zonjës Barrett - disa nga mendimet e saj mbi kujdesin shëndetësor - për qasjen ndaj kujdesit shëndetësor dhe të drejta specifike, mendoj se janë të pa përshtatshme me kohën. Mendoj se është një hap prapa nga përparimi që kishte bërë Ruth Bader Ginsburg”, thotë votuesi Sean Yetter.
Por konfirmimi i zonjës Barrett do të shihej si një fitore për shumë konservatorë kundër abortit, të cilët kanë vlerësuar emërimet e bëra nga presidenti Trump në gjykatë.
"Po shohim të miratohen politika që mbështesin lëvizjen kundër abortit dhe që po mbështesin gratë", thotë votuesi Hector Vallejo.
Votuesit demokratë janë të shqetësuar se gjykatësja e devotshme katolike do të përmbyste vendimet për martesat homoseksuale dhe abortin.
"Unë nuk dua që domosdoshmërisht pikëpamjet fetare personale të dikujt, të ndikojnë në vendimet e çdo dege të qeverisë", thotë Sarah Brosius, votuese nga Ohajo.
Gjykatësja Barrett ka thënë se besimi i saj nuk ndikon në vendimet e saj gjyqësore - një shqetësim që demokratët e Kongresit e shprehën në seancën e saj të konfirmimit për në gjykatën federale në vitin 2017.
"Dogma jeton thellë brenda jush dhe kjo është shqetësuese", tha senatorja Dianne Feinstein.
Republikanët thonë se shqetësime të tilla shkelin një vlerë të rëndësishme amerikane.
"Feja dhe mënyra se si ajo praktikon fenë e saj nuk duhet të jenë faktorë skualifikimi, sepse ne e vlerësojmë lirinë e fesë", tha senatorja republikane Marsha Blackburn.
Seancat e konfirmimit të zonjës Barrett fillojnë më 12 tetor - dhe Senati mund të mbajë një votim të plotë mbi emërimin e saj qysh më 26 tetor.
Facebook Forum